Moshat U-19/ Vllaznia s’fal, Partizani në formë. Football Republic ruan kryesimin në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 19:16

Moshat U-19/ Vllaznia s’fal, Partizani në formë. Football Republic ruan kryesimin në Vlorë

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti ndeshjet e javës së 16-të. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

internacionale -tirana

Spektakël në Pezë, 8 gola për një pikë

1

Ndeshje e çmendur në Pezë mes të rinjve të Internacionalit dhe Tiranës. Plot tetë gola u shënuan, por nuk pati fitues në fund, pasi gjithçka u mbyll me shifrat 4-4. Tirana ishte e para që kalon me një dygolësh në epërsi, teksa fillimisht është Gjumsi nga pika e penalltisë, e më pas Pasmaçiu dyfishon shifrat. Por, 5 minuta para fundit të pjesës së parë, Internacionali shkurton 2-1 me anë të Nergutit. Në fraksionin e dytë loja bëhet edhe më e bukur, ku të dyja skuadrat krijojnë raste shënimi, por vetëm në të 60-ën do të jetë Andri Stafa që realizon golin e tretë për bardheblutë, sërish me penallti. Më pas është Bibo i Internacionalit që do të shkurtojë diferencën në 3-2. Vendësit marrin zemër dhe Nerguti barazon shifrat në 3-3. Edhe pse s’ka shumë kohë, skuadrat shënojnë nga një gol tjetër. Fillimisht është Bibo që kalon Internacionalin në epërsi 4- 3. Kur u mendua përmbysja e madhe, Meçuli vulos rezultatin 4-4. ABDULLA DUSHKU

“Demat”, të pandalshëm

2

Derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Dinamos u ka buzëqeshur të kuqve që drejtohen nga Reinaldo Kalari. Ka qenë një fitore plotësisht e merituar. Pas një pjese të parë të barabartë 1- 1, ku të dy golat janë shënuar me penallti. Në të dytën vendosën Abdullaj dhe Lita për vendësit. Ndërkohë, Ciku dhe Çullhaj u ndëshkuan me të kuq. ABDULLA DUSHKU

Pusi nderon shkodranët

3

Vllaznia nuk zhgënjen as në transfertën e vështirë të Laçit. Skuadra e drejtuar nga Luan Zmijani ia ka dalë të marrë tri pikë falë një goli të Pusit në minutën e 73-të. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me kurbinasit që kanë pasur mundësitë e tyre për shënim. Në 13 minutat e fundit miqtë luajtën me 10 lojtarë pas ndëshkimit të Bizit me të kuq. ABDULLA DUSHKU

Bind Shkëndija T.

4

Derbi i shkollave të futbollit ka folur për Shkëndijën e Tiranës. Ekipi që drejohet nga Shpendi Kumbarçe ka marrë një fitore të merituar, teksa që në pjesën e parë arriti të shënojë dy gola me Kasallën dhe Zunën. Ky i fundit realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Shkëndija e Durrësit reagoi në pjesën e dytë me Lleshin. ABDULLA DUSHKU

Teuta ngec në Durrës

5

Ndeshje e çmendur në Durrës mes Teutës dhe Akademisë së Futbollit. Një 90-minutësh që i pati të gjitha, duke filluar nga 8 golat, penalltitë, autogolat dhe kartonët e kuq. Denis Peja ishte protagonist absolut për durrsakët, ndërsa Buci, Nikqi dhe Brama shënuan për miqtë. Për Teutën mund të quhet një hap fals, pasi iu largua vendit të parë. ZAMIR QYPI

Shkëlqen F.Republic

6

Football Republic vijon fitoret, ndërsa Flamurtari vazhdon me humbje. Grumbullimi i lojtarëve me ekipin e parë i ka prishur shumë punë skuadrës së Fjodor Xhafës. Situata është kritike te ekipi U-19, madje për shkak të mungesës së lojtarëve, portieri Petoshati luajti si mbrojtës. Miqtë shënuan me Dermanin, Avdinë dhe Markun në fund. ERMAL SIKA

Ziaji, hero për fierakët

7

Apolonia ia del në Pogradec falë dopietës së Ziajit. Ishte një ndeshje e luftuar, por me fieraket që u treguan më të saktë para portës. Loja ishte e balancuar, derisa në minutën e 65-të, Zijaj zhbllokoi shifrat. Pas pak minutash ishte sërish i njëjti autor që vulosi gjithçka për miqtë. Në fund Likollari shpërdoroi një penallti për Pogradecin. REDI DANDALLAKU

Besa, tani e treta

8

Besa dhe Elbasani kanë dhuruar spektakël në ndeshjen e luajtur në Kavajë. Janë miqtë, të cilët mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Mustës. Mirëpo, në pjesën e dytë reagimi ka ardhur në 20 minutat e fundit, ku kavajasit shënuan 4 gola me autor Muzhaqin, M.Mustën, Voglin dhe Muhon. Për miqtë shkurtoi shifrat Karamani. FERIZ FERIZAJ

Përmbysje e Shënkollit

9

Shënkolli tregon forcën në Shkodër, duke fituar me përmbysje 1-2. Pas një pjese të parë pa gola, ekipet e kërkuan me ngulm fitoren në 45 minutat e dyta. Shkodra e drejtuar nga Rudi Piraniqi kaloi në avantazh me Shabin. Mirëpo, reagimi i Shënkollit të Haris Likës ishte fantastik, pasi për 7 minuta shënoi dy herë me Daijën dhe Ukun. ADMIR URUÇI

Vendos dopieta e Sejkos

10

Butrinti ka marrë tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Superioren U-19, duke mposhtur në Sarandë ekipin e Skënderbeut, që synon vendet e para. Heroi i të rinjve vendës ka qenë Sejko, i cili shënoi dy gola në pjesën e dytë. Ishte një fitore me përmbysje, pasi në pjesën e parë realizoi Kaçanolli për korçarët. TOMOR SHEHU

19a 19b

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"