MOSHAT U-19/ 5 gola vendosin derbin Dinamo-Tirana, humbet Partizani. Bindin Football Republic dhe Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 17:43

MOSHAT U-19/ 5 gola vendosin derbin Dinamo-Tirana, humbet Partizani. Bindin Football Republic dhe Teuta

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së dytë, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

FOTBALL REPUBLIC

Përmbysje e Tiranës, vendos supergoli i Stafës

11

Kryendeshja e javës së 2-të në kampionatin e të rinjve mes Dinamos dhe Tiranës nxori fitues bardheblutë e Ilir Spahiut. Derbi kryeqytetas u zhvillua në fshatin Arbanë, në periferi të Tiranës, aty ku prej pak muajsh Dinamo ka kompleksin e tij si klub, ku stërviten jo vetëm ekipet e akademisë, por edhe të rriturit. Sa i përket derbit të të rinjve, ka qenë një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat përveç spektaklit, kanë shënuar në total 5 gola. Dinamovitët e nisën më mirë, duke shënuar me Zenelin dhe duke e mbyllur fraksionin e parë me fitore. Bardheblutë nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat dhe në fraksionin e dytë bënë një reagim fantastik. Birçaj vendosi baraspeshën, ndërsa më pas Kozi kaloi në avantazh të rinjtë e Tiranës. Por, blutë nuk u dorëzuan, pasi arritën të barazonin me anë të Sulës pas 13 minutash. Gjithsesi, rezultati 2-2 zgjat shumë pak, pasi bardheblutë ia dalin të gjejnë fitoren me një supergol të Stafës. ABDULLA DUSHKU

Shkëndija nuk përmbahet

12

Partizani ende nuk po merr pikë në kampionat, teksa të shtunën pësoi edhe humbjen e dytë radhazi në ndeshjen ndaj Shkëndijës së Tiranës. Skuadra e mjeshtërisë e nis bukur, ku shënon që në minutën e 7-të me Maçin. Megjithatë, menjëherë barazon Çarçani. Në pjesën e dytë kemi tre gola, fillimisht Miraka, më pas Koldashi, si dhe në fund Shuli. ABDULLA DUSHKU

Vllaznia vuan për 1 pikë

13

Vllaznia dhe Shënkolli kanë dhuruar spektakël të dielën në Shkodër. Interesant është fakti se të dyja skuadrat drejtohen nga trajnerë shkodranë. Në pjesën e dytë ndodhi gjithçka, teksa Daija bëri dopietë për miqtë, ndërsa Elbasani dhe G.Smajli me penallti shënuan për Vllazninë. Në fund gjithçka u mbyll me barazimin 2-2. ADMIR URUÇI

Spektakël i Teutës

14

Teuta nuk fal në derbin ndaj Besës. Skuadra e Xhevahir Kapllanit shënoi tri gola në portën e kavajasve që në pjesën e parë. Fillimisht ishte Shala që hapi serinë e golave në minutën e 5- të. Lila barazoi përkohësisht për kavajasit, ndërsa më pas ishte radha e Qehajajt dhe Bocit të ndryshonin gjithçka, duke u dhënë fitoren 3-1 durrsakëve. ZAMIR QYPI

Beçka trondit fierakët

15

Hap fals i Apolonisë kampione. 19-vjeçarët fierakë janë thyer në shtëpi nga Skënderbeu, në një ndeshje me emocione. Kronika ka folur për një lojë më të mirë të skuadrës së trajnerit Borova, por fitues dolën korçarët. Fierakët kaluan të parët në avantazh me penalltinë e Balës, por më pas Beçka për miqtë përmbysi gjithçka me një dopietë. BUJAR RAMA

Shkodra ngec në shtëpi

16

Një ndeshje spektakolare ka qenë ajo mes Shkodrës dhe Shkëndijës së Durrësit. Tre gola u shënuan që në pjesën e parë, duke e bërë edhe më të bukur takimin. Suka realizoi i pari për Shkodrën, ndërsa Goro barazoi shpejt për miqtë. Më pas Malo kaloi në avantazh Shkëndijën e Durrësit, ndërsa barazimi 2-2 erdhi nga penalltia me Musrajin. ADMIR URUÇI

Football Republic, super

17

Derbi i dy akademive për të rinj i takon ekipit të Football Republic, që drejtohet nga Erbim Fagu. Ka qenë një lojë shumë e bukur e të rinjve të Football Republic, të cilët shënuan katër gola që në pjesën e parë. Shahaj dy herë dhe më pas Beta e Treni u bënë protagonistë të golave për skuadrën mike, që e meritoi plotësisht fitoren 4-0. ABDULLA DUSHKU

Pogradeci, pika e parë

18

Pogradeci dhe Flamurtari kanë ndarë pikët. Në minutën e 31-të, një top i mrekullueshëm nga mesfusha shfrytëzohet nga Gegaj, i cili kalon në avantazh vlonjatët. Në pjesën e dytë rastet për gol u shtuan nga të dyja ekipet, ku Pogradeci kërkoi me ngulm barazimin dhe e gjeti. Bega shërben për Dervishajn, që afër zonës e çon topin në rrjetë. REDI DANDALLAKU

Selmani nderon Laçin

19

Një gol i Santiago Selmanit në minutën e 88- të ka vendosur ndeshjen mes Laçit dhe Internacionalit. Ka qenë një lojë e fortë, që hera-herës ka pasur edhe tension. Madje, arbitri është detyruar të nxjerrë me të kuq një prej lojtarëve kurbinas në fund. Internacionali është munduar të reagojë, por minutat shtesë nuk i shërbyen pas pësimit të golit.

Butrinti bën historinë

20

Butrinti debutues merr një fitore historike në kampionatin U-19. Në ndeshjen ndaj Elbasanit, ekipi sarandjot ia doli të merrte tri pikë falë golave të Brahimit dhe Malajt. Gjolena për miqtë nuk mjaftoi, pasi Butrinti ishte më kërkues. Sarandjotët zunë vendin e Luftëtarit në Superioren U-19, madje duke marrë disa lojtarë nga Gjirokastra. TOMOR SHEHU

RENDITJA 19A RENDITJA 19B

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"