Moshat U-17 / Vllaznia e para, ndalet Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2016 | 13:56

Moshat U-17 / Vllaznia e para, ndalet Flamurtari

Tension në Korçë, thyhen vlonjatët

Flamurtari pëson humbjen e parë pas tre muajsh kampionat dhe pikërisht në transfertën ndaj Skënderbeut. Dopieta e Demollarit ka nderuar korçarët në sfidën ndaj kryesuesve të grupit B. Takimi i ka pasur të gjitha brenda, përfshi tensionin dhe kartonët e kuq. Gjyqtari nga Elbasani ka nxjerrë tre lojtarë me të kuq, dy të Flamurtarit dhe një të Skënderbeut.

skenderbeu flamurtari u17

Shkak janë bërë përplasjet mes lojtarëve, me gjyqtarin që nuk ka toleruar aspak. Takimi ka nisur i shpejtë, me vendësit që kalojnë në avantazh në minutën e 6-të me Demollarin. Pas shënimit të golit, edhe miqtë përpiqen të bëjnë diçka, por nuk janë në ditën e tyre më të mirë. Kolila ndëshkon vlonjatët, pasi në minutën e fundit të pjesës së parë merr kartonin e dytë të verdhë.

Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën pamje, ku Skënderbeu shfrytëzon epërsinë numerike dhe arrin të dyfishojë shifrat me të njëjtin autor: Demollarin. Mirëpo, këtu fillon përplasja mes portierit korçar, Nazari dhe futbollistin mik, Balilaj. Gjyqtari i ndëshkon të dy me të kuq, teksa sfida mbyllet 2-0.

LLAZI SARO

Shkodranët s’falin as kundër Laçit

Paratërinjtë e Vllaznisë e mbyllin me fitore vitin 2016, duke u renditur në krye të grupit A, të shkëputur me katër pikë më shumë se rivali më i afërt, Tirana. Dje, skuadra e drejtuar nga Haris Lika ka fituar me rezultatin e pastër 0-2 në transfertën ndaj Laçit. Vendësit janë munduar të rezistojnë, por e kanë pasur të pamundur për të përballuar furinë shkodrane.

laci vllaznia u17

Fillimisht është Paja që kalon në avantazh Vllazninë, duke ia bërë më të lehtë vazhdimin e lojës ekipit të tij. Laçi mundohet të reagojë, por nuk e ka forcën e duhur për t’i bërë dëm skuadrës shkodrane. Në momentin më të mirë të kurbinasve, Vllaznia ndëshkon sërish vendësit, këtë herë me anë të Lekajt. I gjithë takimi mbyllet me fitoren e merituar të kuqebluve të vegjël.

Tirana e mbyll me fitore

Tirana mposht jo pa vështirësi Porton, duke e mbyllur vitin me një fitore të rëndësishme në shtëpi. Redi Veriu dhe Aldo Selenica ishin protagonistët e fitores së ekipit të Sulejman Memës. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ku të dyja skuadrat më shumë kanë qarkulluar, në të dytën janë bardheblutë që arrijnë të shënojnë dy gola të shpejtë.

tirana porto u17

ABDULLA DUSHKU

Akademia mposht të kuqtë

Partizani ka zhgënjyer kundër Akademisë, duke humbur minimalisht 1-0. Një gol i Mehmetllarit në minutën e 25-të i ka dhënë tri pikë skuadrës së Bozos. Loja ka qenë shumë e luftuar, por një gabim në mbrojtjen e Partizanit ka bërë që Akademia ta shfrytëzojë më së miri. Partizani u mundua të barazonte, por portieri Pushaj nuk lejoi prekjen e rrjetës.

partizani akademia u17

ABDULLA DUSHKU

Goleadë e Shkëndijës

Shkëndija e Tiranës ka qenë e pamëshirshme ndaj Olimpikut, duke shënuar katër gola brenda 30 minutave. Kanë qenë Mejdani, Leci, Shabani dhe Dylgjeri që kanë likuiduar kundërshtarin. Edhe pse Olimpiku ka reaguar në fillimin e pjesës së dytë, kur Dallashi realizoi golin e parë, sërish vendësit nuk u mjaftuan, por shënuan tri herë të tjera.

shkendija e tiranes olimpiku u17

ABDULLA DUSHKU

Elbasani, mjafton Bici

Elbasanit i mjafton goli i Bicit në fillimin e pjesës së dytë për të marrë tri pikët kundër Dinamos. Ka qenë një lojë me mjaft rivalitet nga të dyja ekipet, të cilat kërkuan me ngulm që të dilnin me fitore nga kjo sfidë. Edhe Dinamo pati mundësitë e veta, por nuk ia dolën të shënonin dhe në fund ata që fituan ishin vendësit e Elbasanit.

elbasani dinamo u17

VLADIMIR MEMA

Internacionali super

Internacionali ka mposhtur me 4 gola Kukësin, duke dominuar totalisht. Bozhanaj dy herë dhe Hekuri e Haxhillari nga një herë plotësuan fitoren e vendësve. Në minutën e 55-të pati tension, pasi Belaj u përplas me Rrahmanin, duke e goditur këtë të fundit. Menjëherë gjyqtari Gjoka e ka nxjerrë lojtarin e Kukësit me karton të kuq.

internacional kukesi u17

ABDULLA DUSHKU

Super-Hoti, 4 gola

Shkëndija e Durrësit ka fituar me rezultatin tenistik 6-1 kundër Lushnjës, në një ndeshje ku protagonist absolut ka qenë Hoti, i cili realizoi plot katër gola. Kuqi dhe Halili plotësuan triumfin e vendësve, ndërsa për Lushnjën shënoi golin e nderit Karame. Loja u dominua totalisht nga Shkëndija e Durrësit, që dhuroi spektakël.

shkendija e durresit lushnja u17

JETON REXHMATI

Përmbysje e Pogradecit

Pogradeci përmbys AF Dinamon, duke marrë tri pikë të arta në kryeqytet. Për blutë ka qenë Devi Balla ai që ka shënuar, duke bërë që skuadra e tij të kryesojë për 40 minuta. Por, pikërisht në limitin e pjesës së parë, është Yzeiri i liqenorëve që barazon shifrat. Ndërsa në pjesën e dytë miqtë shënuan edhe golin e fitores me anë të Hykos.

af dinamo pogradeci u17

ABDULLA DUSHKU

Zefi nderon lezhjanët

Takimi mes paratërinjve të Besëlidhjes dhe Shkëndijës B është mbyllur me fitoren minimale të lezhjanëve. Loja ka nisur e fortë nga të dyja skuadrat, por shumë shpejt u kontrollua nga vendësit, që kaluan në avantazh me anë të Zefit. Pas pësimit të golit, miqtë arritën që ta forconin lojën, por nuk arritën që të finalizonin para portës.

beselidhja shkendija b u17

PRENG GJIKOLA

Iliria e dyta, mund edhe Korabin

Paratërinjtë e Ilirisë kanë triumfuar 4-2 edhe ndaj Korabit, duke e mbyllur këtë pjesë të parë të kampionatit në vendin e dytë në grupin A të Kategorisë së Parë. Skuadra e trajnerit Dashamir Çangu ka kontrolluar lojën dhe në pjesën e parë shënoi dy herë me anë të kapitenit Dobrozi dhe Abazit. Në pjesën e dytë fushëkrujasit ishin të pandalshëm, teksa realizuan edhe dy herë të tjera me Sulajn dha Limanajn.

Miqtë nga Dibra u munduan të reagonin dhe arritën që të realizojnë dy herë, por vetëm kaq, pasi gjithçka u mbyll me shifrat 4-2. Iliria e nisi takimin me Senën në portë e më pas Dobrozi, Gjini, Selmani, Xeka, Gjokeja, Vathi, Bakalli, Abazi dhe Kadiu. Për dibranët u aktivizuan Bardhi, Tomçini, Murra, Pupli, Cenga, Lami, Stojku, Fida, Manuka, Bulku dhe Neno. Korabi e mbylli në vendin e shtatë.

SHKËLQIM HASANI

kategoria superiore u17 grupi a renditja

kategoria superiore u17 grupi b renditja

kategoria e pare u17 grupi a renditja

kategoria e pare u17 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"