Mobilizohet Tomori, stërvitje në Kuçovë dhe 4 ditë grumbullim/ Sinella takohet me kryebashkiakun: Ja plani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2021 | 22:28

Mobilizohet Tomori, stërvitje në Kuçovë dhe 4 ditë grumbullim/ Sinella takohet me kryebashkiakun: Ja plani

Tomori do me çdo kusht ngjitjen dhe për t’ia dalë, po merr që të gjitha masat. Pengesa e parë mban emrin “Burreli”, ndeshje që do ta luajnë më 26 maj. Klubi është mobilizuar dhe ka garantuar që do t’i plotësojë që të gjitha kushtet e ekipit para “play off”-it. Për këtë motiv, kryebashkiaku ka takuar dje trajnerin e beratasve.

tomori-besa

Ervin Demi ka pritur Bledar Sinellën, ku janë vendosur disa “piketa” para kësaj sfide. I kontaktuar nga “Panorama Sport” menjëherë pas përfundimit të takimit, tekniku kavajas tha: “Zhvilluam këtë takim shumë frutdhënës me kryetarin e bashkisë. Mbështetja ka qenë gjithnjë prezente dhe nuk mund të mungonte as tani, kur luajmë finalen me Burrelit. Ai garantoi se do të kemi që të gjitha kushtet e nevojshme për stërvitje dhe akomodim.

Fillimisht do të përgatitemi gjatë kësaj jave në fushën me bar natyral në stadiumin e Kuçovës, ndërkohë që do të grumbullohemi tri-katër ditë përpara takimit. Këto ishin masat paraprake që kërkuam, në shërbim të interesave dhe objektivave të skuadrës. Duke qenë se stërvitemi në një fushë me bar sintetik, e kemi shumë të domosdoshme që ndeshjen me Burrelin ta përgatisim në një fushë me bar natyral, ndaj dhe kemi zgjedhur në këtë rast fushën e Kuçovës.

Më vjen shumë mirë që me kryebashkiakun bashkohemi në një pikë: për suksesin e Tomorit. Kështu që, shpresojmë që të gjithë së bashku, me kontributin maksimal të gjithsecilit, t’ia dalim mbanë dhe ta ngjisim në Superiore”, ka përfunduar tekniku i beratasve.

EDI SPAHIU – PANORAMASPOR.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"