Mjeku i Partizanit: Lojtarët kanë marrë 20-30% të ngarkesës në shtëpi, forma optimale kapet me 2-3 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 22:57

Mjeku i Partizanit: Lojtarët kanë marrë 20-30% të ngarkesës në shtëpi, forma optimale kapet me 2-3 javë

Partizani i ka marrë të gjitha masat për të zbatuar protokollin shëndetësor, në mënyrë që lojtarët të stërviten në bazë të rregullave të reja të vendosura pas shpërthimit të pandemisë “COVID-19”. Në një prononcim për mediat, doktori i skuadrës së kuqe, Dhimosten Gjini, tregon gjendjen e lojtarëve në rifillimin e punës, masat që ka ndërmarrë klubi në të shkuarën dhe për pjesën në vazhdim. Mjeku Gjini e pranon se është një situatë e pazakontë për futbollistët, pasi duhet të shmangin kontaktin fizik, kur vetë puna që bëjnë e ka pjesë të sajën këtë proces. Doktori i Partizanit e pohoi sërish që përgatitja që kanë kryer lojtarët gjatë karantinës vlen vetëm 20- 30% të mundësive që të jep stërvitja në grup dhe terren.
dhimosten-gjini

Çfarë masash ka marrë Partizani për këtë situatë të pazakontë dhe si e shikoni gjendjen e lojtarëve?
Dihet që është një situatë e pazakontë, aq më tepër për sportistët. Gjatë fillimit të karantinës, klubi ka marrë të gjitha masat për stërvitjet individuale të lojtarëve në ambientet e mbyllura nën drejtimin e përgatitësit atletik për të ruajtur aq sa kishin mundësi, jo formën, por gjendjen fizike, gjë e cila them se kaloi me sukses. Me fillimin e stërvitjes para dy ditëve, më pas gjendja e lojtarëve është e pranueshme, kuptohet jooptimale. Probleme shëndetësore nuk janë vënë re deri tani. Të gjithë ishin pa probleme, por ndonjë rast i veçantë në mbipeshë është në monitorim nga ana e përgatitësit atletik dhe stafeve. Klubi i ka marrë të gjitha masat për parandalimin e çdo episodi të pakëndshëm. Nuk u lejua të futej në stërvitje asnjë lojtar pa matur temperaturën, elementi bazë për të parandaluar situatën. Në kontrollin tonë mjekësor çdo lojtar është pyetur për çdo shqetësim që ai ka patur gjatë kësaj kohe, apo familjarë të tij. Pra, janë pyetur për çdo shqetësim që kanë patur më përpara ata familjarisht në mënyrë që kur të vinin këtu, të ishin në kushte normale. Gjatë këtyre dy ditëve nuk kemi patur asnjë shqetësim, asnjë lojtar me temperaturë. Të gjithë janë pajisur me mjetet mbrojtëse.

A është e vështirë për ta përballuar këtë protokoll të detajuar?
Natyrisht, për vetë specifikat e veta, pasi futbolli është lojë kontaktesh. Sigurisht që është shumë e vështirë të shmangen kontaktet në fushën e lojës, qoftë edhe në stërvitje. Ne i kemi bërë dhe do bëjmë aq sa mundemi për distancimin fizik, pasi është elementi thelbësor në parandalimin e kësaj situate. Lojtarët do ta kenë shumë të vështirë për ta përballuar situatën e dëmtimeve fizike.

A u trembeni dëmtimeve të rënda të lojtarëve pas fillimit të përgatitjeve?
Gjatë kësaj periudhe dymujore lojtarët nuk kanë patur mundësi të marrin ngarkesën e duhur fizike, pavarësisht përgatitjeve individuale që kanë bërë. Është krejt ndryshe të punosh në kushte shtëpie dhe ndryshe në kushte fushe, apo stërvitje në grup. Në kushtet e shtëpisë maksimumi mund të marrësh 20- 30% të mundësive të përgatitjeve. Lojtarët kanë qenë të ndërgjegjshëm për situatën e tyre, pasi në radhë të parë punojnë për veten e tyre, pastaj punojnë për klubin dhe të tjerë. Shpresoj dhe besoj se dy-tri javë janë të mjaftueshme që lojtarët të arrijnë optimumin e tyre fizik për të përballuar ndeshjet e mbetura të kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"