Mister sërish te Kukësi, Diego Longo “fshin” një tjetër futbollist nga verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 14:37

Mister sërish te Kukësi, Diego Longo “fshin” një tjetër futbollist nga verilindorët

Në Kukës ka edhe një mister tjetër, ai që lidhet me portierin Dashamir Xhika.

xhika kukesi

Gjatë gjithë sezonit, 33-vjeçari ka qenë numri dy pas Tafasit dhe në mungesë të këtij të fundit për arsye dëmtimi në disa ndeshje, ishte pikërisht ish-gardiani i Partizanit, që e zëvendësoi.

Mirëpo, në dy ndeshjet e fundit, ai nuk ka qenë fare i grumbulluar, duke mos u preferuar më as në pankinë, ndërsa nga klubi nuk raportohet për ndonjë dëmtim të mundshëm të tij.

Me shumë gjasa, Xhika pritet të jetë i larguari i radhës nga verilindorët në përfundim të këtij edicioni.

Gardiani prej tri sezonesh ka qenë pjesë e Kukësit. Më herët, nga verilindorët ishin larguar Ardit Hila dhe Emiljano Musta, ndërsa listës pritet t’i shtohen edhe të tjerë në vijim.

EUROPA – Në Kukës duan me çdo kusht që të sigurojnë vendin e katërt në kampionat dhe më pas të shpresojnë te fitorja e Laçit në Kupën e Shqipërisë përballë Vllaznisë.

Por, nëse të dytën nuk e kanë në dorën e tyre, e para sigurisht varet nga ata, teksa u duhet një fitore ndaj kampionëve të Tiranës. Nuk pritet të jetë një shëtitje për verilindorët, edhe pse bardheblutë kanë siguruar gjithçka.

Për këtë arsye, në kampin verilindor janë gati të bëjnë një sforco të fundit këtë sezon për të marrë tri pikët, që në njëfarë mënyre do të mbeteshin në garë për Europën.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"