Miqësorja, Korabi teston dy kosovarë dhe një italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2017 | 11:38

Miqësorja, Korabi teston dy kosovarë dhe një italian

Korabi bëhet gati për provën e parë. Dibranët kanë projektuar sot ndeshjen e parë miqësore për këtë vit, ndërsa kundërshtar do të kenë Bylisin e Kategorisë së Parë. Ky takim do të luhet në Pezë, në orën 13:00, ndërsa burime në klub zbulojnë se pjesë e organikës së Gerd Haxhiut do të jenë edhe tre lojtarë të rinj. Mësohet se do të vijnë dy kosovarë dhe një italian.

Korabi stervitje 2017

Emrat nuk bëhen të ditur, megjithatë vetëm sot do të zbulohen. Ata do vëzhgohen nga stafi teknik dhe nëse japin sinjale pozitive, atëherë mund të ketë diçka konkrete për ta. Sakaq, Korabi është pranë zyrtarizimit edhe të mesfushorit Besmir Arifaj. Ish-lojtari i Dinamos ka gjetur akordin parimor me drejtuesit, por tashmë mbetet vetëm që të hidhet e “zeza mbi të bardhë”.

Por, veç prurjeve në pritje, do të ketë edhe “firo”. Dushko Dukiç nuk po paraqitet. Stafi teknik u bë kohë që po e pret mbrojtësin, megjithatë ai ende nuk ka ardhur në Shqipëri. Duke parë këtë situatë, klubi po bëhet gati që të prishë kontratën me të. Sakaq, lojtarët janë ende në pritje të zgjidhjes së problemeve financiare. Por, pas premtimit të fundit të dhënë nga klubi, janë disi më të qetë.

Mëziu: Po sfidojmë motin, presim shtyrjen

Fehmi Mëziu pret që të shtyhet kampionati. Një javë më tepër kohë ai e cilëson si “bonus” për punimet që kanë nisur në stadiumin e Peshkopisë.

“Pothuajse janë mbyllur 80% e punimeve në stadium. Drejt përfundimit janë edhe dhomat e zhveshjes, tribuna VIP dhe sektori i mediave. Ende kemi punë në rrethimin e fushës, e cila nuk do më shumë se dy-tri ditë kohë. Jemi plotësisht të bindur se më datën 18 janar çdo gjë do të jetë gati, por mbetet vetëm dëbora që ka mbuluar tapetin. Për këtë edhe kemi kërkuar shtyrjen e kampionatit, pasi shpresojmë që me ngrohjen e motit, të shkrihet edhe dëbora që ka mbuluar fushën”, u shpreh drejtori i Korabit.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"