Miqësoret “ndezin” Dinamon, gati për sprintin final të 2022-shit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 10:41

Miqësoret “ndezin” Dinamon, gati për sprintin final të 2022-shit

Dinamo ka hyrë në javën antiLushnjë dhe synon ta rinisë kampionatin aty ku e la. Që pas fitores në transfertë me Besën, gara u ndërpre për shkak të Botërorit. E megjithatë, kryeqytetasit e kanë ruajtur formën edhe gjatë ndalesës dhe janë gati për sprintin final të 2022-shit.

DINAMO

MIQËSORET OK – Për të ruajtur formën e skuadrës gjatë “pushimit”, blutë luajtën tri miqësore. Dy nga të cilat me kundërshtarë nga Superiorja, Kukësi dhe Teuta, ndërsa testi tjetër ishte me Vorën e Kategorisë së Dytë.

Pozitiv është fakti se kanë shënuar në të tria këto sfida, ku regjistruan dy fitore dhe një humbje. Edhe pse rezultati është në plan të dytë në këto lloj ndeshjesh, ka gjithsesi vlera morale.

Dinamo u mund 2-1 nga Kukësi, ku shënoi Taulant Marku, më pas mundi Vorën 0-1 me gol të Hoze Denison dhe pak ditë më parë mundi Teutën 1-2, me gola të Indrit Prodanit dhe Diogo da Silvës.

Skuadra në përgjithësi ka funksionuar, ndërsa trajneri Nevil Dede ka parë gjendjen e të gjithë futbollistëve dhe në veçanti të atyre që vijnë nga dëmtimet.

Ai ka vlerësuar rikthimin e lojtarëve si Prodani, Vokrri dhe Bardhi, pasi skuadra ka nevojë për kontributin e tyre.

Tani fokusi ka kaluar te përballja me Lushnjën, ku Dinamos e ka detyrim trepikëshin, me shpresën se mund të fillojë shkëputjen nga Flamurtari, me të cilin kryeson renditjen.

Deri në fund të 2022-shit, përveç Lushnjës, blutë ndeshen me Tërbunin në transfertë dhe Luzin në shtëpi. Objektivi është të merren pikën maksimale dhe për të “blinduar” kreun.

GJENDJA – Dinamo ka pasur probleme vazhdimisht me dëmtimet dhe aktualisht nuk ka të gatshëm mbrojtësin Eni Imami dhe mesfushorin Ersil Ymeri. Të dy nuk llogariten për ndeshjen e së shtunës me Lushnjën.

Ndoshta mund të rikthehet në fundjavë Sabien Lilaj, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe është stërvitur me grupin. Gjasat janë që korçari ta nisë nga stoli. Alesio Mija gjithashtu e ka kaluar dëmtimin në kavilje dhe është gati për stafin teknik.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"