Milani në alarm, Aleks dhe Lopez humbasin Juven

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2014 | 8:44

Milani në alarm, Aleks dhe Lopez humbasin Juven

Aleks te MilaniFitorja kundër Parmës në “Tardini” katapulton Milanin në krye të klasifikimit të kampionatit italian me pikë të barabarta me Juventusin dhe Romën, por kostoja që duhet të paguajë trajneri i kuqezinjve, Filipo Inzagi është e lartë. Përveç problemeve në mbrojtje, që duhen ndrequr me shpejtësi, ajo që shqetëson më shumë trajnerin e Milanit është lista e gjatë e lojtarëve të dëmtuar, në një çast shumë të papërshtatshëm, pasi kujtojmë se të shtunën kuqezinjtë do të luajnë në “San Siro” kundër Juventusit të Masimiliano Alegrit.
Mungojnë Lopez e Aleks – Dëmtimi më i rëndë i ka ndodhur portierit të kuqezinjve, Diego Lopez. Një lëvizje e papritur gjatë kthimit të topit mbrapa nga De Shiljo, që shkaktoi autogolin në ndeshjen kundër Parmës, i ka kushtuar shumë gardianit spanjoll. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, në një komunikatë për shtyp, klubi i Milanit ka bërë të ditur se 32-vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e këmbës së djathtë dhe në javën e ardhshme do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore më të detajuara. Përkthyer ndryshe do të thotë se spanjolli nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Juventusit dhe rrezikon të qëndrojë të paktën për dy javë jashtë fushave të blerta. Problemet nuk përfundojnë këtu pasi stafi i Inzagit do të shqyrtojë me kujdes dhe gjendjen e mbrojtësit Aleks. Braziliani braktisi fushën në takimin kundër Parmës për një problem muskulor, por lëndimi i tij nuk është aq i rëndë sa pritej. Stafi mjekësor i Milanit në ditët e ardhshme do të tentojë që lojtari të rikuperohet, por me shumë gjasa as ish-futbollisti i PSG-së nuk pritet të zbresë në fushë në super-sfidën e së shtunës. Në mbrojtje, Inzagi pritet të bëjë një rotacion, pasi kujtojmë se edhe “veterani” Daniele Bonera është i skualifikuar dhe me shumë mundësi Zapata dhe Rami do të formojnë dyshen anti-Juventus. Në dyshim është edhe Fernando Torres, i cili pësoi një lëndim në kavilje në vigjilje të ndeshjes kundër Parmës dhe sulmuesi italian, Stefan El Sharaui, që si spanjolli ka një shqetësim në kavilje. Për këtë të fundit mundësitë për ta parë në fushë janë më të pakta se ato të Torres. Lista e gjatë e dëmtimeve sigurisht që merakos Inzagin, por me një Menez në superformë, trajneri i Milanit mund të “flejë i qetë”. Kampionët e Italisë janë të paralajmëruar.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"