Mezani: Të rinjtë, arsye pse desha të drejtoja Laçin. Flamurtari? Nuk humb kohë me gjëra të kaluara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 16:35

Mezani: Të rinjtë, arsye pse desha të drejtoja Laçin. Flamurtari? Nuk humb kohë me gjëra të kaluara

Gentian Mezani ka debutuar me fitore në drejtimin e Laçit, duke udhëhequr skuadrën kurbinase në suksesin 2-0 ndaj Vllaznisë. Tekniku i Laçit ka treguar për “SuperSport” se mendon që ekipi duhet të vazhdojë në këtë rrugë duke vijuar që nga ndeshja e radhës që e vë përballë ish-skuadrës së tij, Flamurtarit.

mezani

Për ndryshimet në skuadër pas emërimit

“E kam menduar që ditën e parë te Laçi që të ndryshoj gjërat. Kisha pak ditë për të parë skuadrën, jam munduar që të zgjidh gjërat dhe kur vjen një fitore me rezultat të tillë duhet të jemi të kënaqur dhe të vazhdojmë me këto ritme pune. Ishte thjesht vetëm një ndeshje, duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Për të rinjtë në radhët e ekipit

“Sigurisht që në momentin e parë unë e kam ndjekur skuadrën e Laçit në të gjitha ndeshjet, kam parë çuna të rinj e me dëshirë. Kjo ishte një arsye pse dëshiroja të isha në drejtimin e Laçit. E zgjodha se ka elementë të rinj të gërshetuar me eksperiencë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të vazhdojmë punën se kemi ndeshje edhe më të vështira dhe kampionati sapo ka filluar”.

Nëse ka ambicie për Europën

“Ky është një diskutim që nuk mund ta them në këto momente, kam pak ditë në këtë skuadër. Kam parë çuna me dëshirë, me eksperiencë dhe normalisht është shpejt për të folur me objektiva. Objektivi ynë do të jetë ndeshja e radhës për të fituar sa më shumë pikë. Kampionati sapo ka filluar dhe çdo ndeshje do të bëhet më e vështirë, është shpejt për të menduar për Europën”.

Për ndjesitë kundër Flamurtarit

“Në këto momente do flas vetëm për këto ndeshje. Jam trajner i Laçit dhe mendoj vetëm për Laçin, pjesën tjetër e kam hedhur pas shpine. Jam vlonjat dhe nuk diskutohet që duhet të mendoj për skuadrën që drejtoj. Nuk dua të humbas kohë për gjëra të shkuara. Flamurtari do të jetë gjithmonë skuadra e zemrës, por kur të jem trajneri i Laçit do të mendohem të fitoj sa më shumë ndeshje edhe kur të kem Flamurtarin përballë”.

Për vështirësinë e drejtimit në Laç

“Më pëlqejnë aventurat dhe normalisht nuk e kam probleme këtë pjesë, nuk e kam absolutisht të vështirë të punoj në Laç, të paktën në këto ditë. Ma kanë bërë jashtëzakonisht më të thjeshtë. Kur vijnë fitoret është edhe më mirë mendoj, kjo është ajo që mund të them deri tani”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"