Leo Mesi: Çasti i golit, sa i mrekullueshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 18:07

Leo Mesi: Çasti i golit, sa i mrekullueshëm

Mesi dhe Higuain“Në momentin që mora topin të gjithë ishim në sulm. Ne donim që ta kualifikonim Argjentinën me një fitore. Sigurisht që isha shumë i lumtur me goditjen që bëra dhe britmat e buzëqeshjen e spektatorëve”. Leo Mesi më në fund po kthehet në një faktor vendimtar edhe tek Argjentina e tij. “La pulga” përballë Iranit gjeti golin e dytë radhazi në këtë Botëror dhe po shijon këtë moment që prej kohësh e kërkonte. I akuzuar gjithmonë nga bashkatdhetarët se nuk jepte maksimumin si te Barça, Mesi tani po merr disa sodisfaksione.
I mrekullueshëm – I pyetur se si ndihej pas takimit të radhës ku i dhuroi 3 pikët Argjentinës, 26-vjeçari u përgjigj: “Ndihem shumë mirë. Siç e kam thënë edhe më parë, golat në Botëror më kanë çliruar. Kam qenë nën presion gjatë gjithë kohës. Sa i përket momentit kur mposhta portierin e Iranit, mund t’ju them se ishte një çast i mrekullueshëm. Ishte një mrekulli që zhbllokova rezultatin në ato minuta të fundit me një gol të tillë”.
Kundërshtari – Ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë të Argjentinës, edhe për “Pleshtin”, fakti që Irani u mbrojt me aq shumë forca, ishte mjaft bezdisës. “Ata u treguan të zotët, pasi na pritën në zonën e tyre dhe pothuajse nuk bënë asnjë gabim. Për asnjë moment nuk na dhanë mundësi të përfitonim nga hapësirat boshe. Mirëpo, përveç këtij fakti, ne u treguam të zotë dhe krijuam shanset tona. Në një pikë të takimit u shqetësuam shumë, sepse edhe rrezikuam shumë nga para. Kundërsulmi ishte arma e tyre kryesore dhe më duhet ta pranoj që e përdorën shpesh. Na pritën në zonën e tyre, duke na bllokuar të gjitha hapësirat”, rrëfeu Mesi për atë që kishte ndodhur në fushë.
Objektivi – Në fund të deklaratës, numri dhjetë i Argjentinës shpjegoi se tashmë ekipi kishte përmbushur objektivin e parë. “Ne ia dolëm që të kualifikohemi, një fakt shumë i rëndësishëm. Që në fillim të kësaj aventure i vumë vetes objektiv që të arrinim diçka të tillë sa më parë”, mbylli fjalën e tij “la pulga”.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"