Mesfushori në dyshim, Laçi kërkon fatin në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2018 | 12:16

Mesfushori në dyshim, Laçi kërkon fatin në kryeqytet

Punimet në tapetin e fushës së stadiumit të tyre kanë bërë që Laçi të kthehet në një skuadër shëtitëse për të pritur miqtë. Ndeshja e sotme me Skënderbeun ishte shumë pranë shtyrjes, por në pamundësi për të pasur stadiumin e tyre, laçianët kanë pranuar që të luajnë kundër Skënderbeut në “Selman Stërmasi”, pikërisht 20 orë pas përfundimit të ndeshjes Tirana-Kukësi.

laci1

Shpresohet që terreni të jetë në kushte optimale për këtë sfidë, ku kurbinasit kërkojnë pasimin e fitores së fundit që morën në Gjirokastër. Trajneri Migen Memelli e ka thuajse të plotë grupin për ndeshjen e sotme dhe i vetmi që është në dyshim është Nikola Eller. Planet për duelin e sotëm, trajneri Memelli i ka bërë pa kroatin dhe në vend të tij pritet të luajë maqedonasi Bojan Najdelov, që së bashku me Jonuzin do të formojnë dyshen e qendrës së mesfushës. Fitorja me gjirokastritët ka rritur ndjeshëm optimizmin te Laçi, edhe me korçarët do bëjnë çmos që të marrin pikët e plota.

laci

Kurbinasit pritet t’u kundërpërgjigjen miqve me një “tredhëmbësh” me Altiparmakovskin në majë të sulmit, i cili nga krahët do të mbështetet nga Xhixha dhe autori i golit të fitores ndaj Luftëtarit, Ndriçim Shtubina. Sulmuesi maqedonas erdhi me bujë te Laçi, por Altiparmakovski akoma nuk e ka shënuar golin e parë për Laçin. Në fazën e parë, bardhezinjtë morën një barazim 1-1 në Korçë, por sot nuk kanë autorin e golit, Myrto Uzuni, i cili sapo i shënoi Skënderbeut menjëherë u transferua në Kroaci te Lokomotiva Zagreb. Në dy ndeshjet e luajtura mes tyre, Superkupë dhe kampionat, kurbinasit kanë shënuar tre gola në portën korçare, përkundrejt dy të Skënderbeut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"