Mes dilemave për të ardhmen dhe Kombëtares, Doka ëndërron një klub të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2017 | 10:13

Mes dilemave për të ardhmen dhe Kombëtares, Doka ëndërron një klub të madh

Kombëtarja Shpresa do të luajë në Irlandën e Veriut për ndeshjen e radhës kualifikuese dhe më pas i duhet t’i drejtohet Islandës. Të besuarit e Alban Bushit do të kompletohen pasditen e nesërme në Irlandën e Veriut dhe vetëm të martën do të kenë mundësi që të zhvillojnë një seancë stërvitore dhe më pas atë para ndeshjes.

Doka dhe Selmani

KONFERENCA

Dje, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë dalë përpara mediave dy nga futbollistët e Kombëtares Shpresa që janë ftuar nga kampionati shqiptar. Mbrojtësi Doka dhe portieri Selmani i janë përgjigjur interesimit të mediave të pranishme për karrierën e tyre si dhe dy ndeshjet e radhës që do të luajnë me përfaqësuesen Shpresa.

Albi Doka

DOKA – Mbrojtësi i Tiranës ka deklaruar se të ardhmen e tij do ta vendosë menaxheri, ndërkohë që e ka cilësuar rënien e bardhebluve si diçka shumë të keqe. “Të gjithë futbollistët ëndërrojnë Kombëtaren A, por unë personalisht duhet të jap më të mirën me përfaqësuesen Shpresa, të transferohem në një klub më të madh që në të ardhmen të kem mundësi të jem pjesë e Kombëtares së madhe.

Merkato? Jam në kontratë me ekipin dhe jam në bisedime, por të ardhmen ia kam lënë menaxherit në dorë. Roli? Si në mbrojtje apo në mesfushë, unë njësoj e kam, por më mirë ndihem në mbrojtje. Objektivi ynë është të japim maksimumin dhe të fitojmë në ndeshjen e radhës ndaj Irlandës së Veriut. Tirana?

Sezoni i kaluar ka qenë i mirë për mua në aspektin personal, por nuk mund të them të njëjtën gjë për skuadrën. Ishte diçka shumë e keqe që skuadra ra në Kategorinë e Parë. Ze Maria po më ndihmon shumë për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur, pasi ai ka qenë një lojtar i Interit dhe ai ka luajtur në rolin tim”, ka deklaruar Doka në konferencë.

selmani

SELMANI – Portieri ka deklaruar se nuk e tremb aspak konkurrenca e gardianëve, por me punë, synon të arrijë maksimumin. “Unë jam munduar të jap gjithmonë maksimumin si me klubin edhe me Kombëtaren në çdo stërvitje. Nëse luaj, unë ju siguroj që do jap më të mirën. Ne kemi një grup të mirë lojtarësh. Me Estoninë kemi bërë paraqitje të mirë, shpresoj të luajmë mirë dhe në ndeshjet e radhës dhe të marrim rezultate pozitive”, ka deklaruar portieri i Laçit, Selmani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"