Merkato në Superiore, Elbasani i Dedes zyrtarizon sulmuesin 28-vjeçar
Tjetër afrim cilësor në merkato për Elbasanin e Nevil Dedes. Skuadra verdheblu po kalon minuta dhe orë intensive në tregun e transferimeve, teksa ka zyrtarizuar edhe sulmuesin Spartak Ajazi, i cili iu bashkohet “Tigrave” pas aventurës në Superiore me Kastriotin. Prej 4 vitesh 28-vjeçari ishte pjesë e krutanëve, teksa tashmë do të nisë një aventurë të re.

Bëhet fjalë për një futbollist që ka fituar pjekurinë e duhur dhe mund të thuhet se është në kulmin e karrierës së tij, ndonëse vitin e fundit nuk ishte brenda pritshmërive të tij.
Ajazi ka provuar disa aventura në Kategorinë e Parë me ekipe si Burrelit, Besëlidhja apo edhe Iliria. E megjithatë, spikati më shumë në radhët e krutanëve, kur me 10 golat e tij ndihmoi ekipin të ngjitej në elitë para katër vitesh. Këtë sezon sulmuesi gjeti rrugën e rrjetës vetëm në fitoren 2 me 1 ndaj Laçit, ndërkohë që u aktivizua në 22 takime, më së shumti si alternativë.

Vlen të theksohet se po ditën e sotme Elbasani zyrtarizoi edhe mbrojtësin Rei Zaimi që sezonin e shkuar ishte pjesë e Turbinës së Cërrikut.
PANORAMASPORT.AL













