Mercedes zbulon makinën “W11”, pilotët të karikuar. Luis Hamilton: Jam i uritur për fitore…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 20:33

Mercedes zbulon makinën “W11”, pilotët të karikuar. Luis Hamilton: Jam i uritur për fitore…

Pas prezantimit të Ferrarit, dje ishte radha e skuadrës Mercedes për të publikuar makinën e re, me të cilën do të garojë në Botëror. Luis Hamilton dhe Valteri Botas i hoqën mbulesën modelit “Mercedes W11”. Në Silverston, së bashku me shefin Toto Volf, dy pilotët zbuluan njëvendëshen e re, e cila ashtu sikurse McLaren dhe Red Bull, e ka pjesën e turirit shumë të ngushtë.

Mercedes-W11-700x367

Kështu “shigjeta e argjendtë” tashmë është gati, dhe në skuderi duken më të karikuar se kurrë për të kërkuar suksese të reja. Pilotët nuk humbën kohë dhe menjëherë zbritën në pistë me makinën e re, ku do të kërkojnë edhe një tjetër sezon fantastik si ai që lamë pas. Luis Hamilton, tepër i emocionuar nuk ngurron të paralajmërojë rivalët, ku shprehet se vazhdon të jetë i uritur për suksese.

Hemilton podium

“Rreth meje shikoj të njëjtën dëshirë për të fituar te të gjithë njerëzit e skuderisë”, janë fjalët e para të Luis Hamiltonit. Më pas i pyetur për kundërshtarët Lëklerk dhe Vershtapen, britaniku shprehet: “Do të argëtohemi dhe le t’ia lëmë pistës. Momentalisht nuk kam presion, por jam i emocionuar pasi do të provoj për herë të parë makinën, e cila është fryt i gjithë punës së bërë nga teknikët tanë. Për herë të parë në karrierë kam provuar një makinë të Formulës 1, këtu në këtë pistë dhe është vërtet magjike ta nisësh sezonin në Silverston”, thotë kampioni në fuqi. Ky do të jetë një vit i rëndësishëm edhe për sa i përket rinovimit: “Prej një jete jam pjesë e Mercedes dhe dua të vazhdoj të fitoj”, përfundon Hamilton.

botas mercedes

 VALTERI BOTAS I paduruar për sezonin e ri është edhe Valteri Botas. Finlandezi i cili përfundoi edicionin e kaluar në vendin e dytë, gjatë prezantimit e komentoi kështu makinën e re: “Nuk e kisha parë të përfunduar dhe mund të them me bindje se është vërtet një makinë shumë e bukur. Sot do të bëj disa prova të vogla dhe do të vijojmë duke nisur nga java e ardhshme. Jam shumë i emocionuar që do ta drejtoj këtë makinë për herë të parë, pasi do të njihem me armën që do të kem në dispozicion për sezonin e ri”, përfundoi finlandezi.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"