Mendon se grupi do ndërhyrje, kapiteni i Skënderbeut kthehet në SHBA: Ishte një vit shumë i vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2022 | 11:29

Mendon se grupi do ndërhyrje, kapiteni i Skënderbeut kthehet në SHBA: Ishte një vit shumë i vështirë

Pushimet e fundvitit e kanë çuar në kontinentin e largët kapitenin e Skënderbeut. Nga SHBA-ja ku është duke kaluar disa ditë relaksi së bashku me familjen, Vangjel Zguro komenton ecurinë e korçarëve në këtë fazë të parë të kampionatit, që u mbyll (duke lënë mënjanë ndeshjen e fundit me Lushnjën) në vendin e katërt për bardhekuqtë. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet për luhatjet e ekipit në fillim të sezonit dhe më pas rezultatet pozitive të marra nën drejtimin e Ivan Gvozdenoviç.

VANGJEL ZGURO

“Ka qenë një vit tejet i vështirë pasi sezoni i kaluar u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme dhe mbi të gjitha me atë që askush nuk e dëshironte. Sezoni nisi jo mirë për ne. Nuk arritëm dot të pranonim realitetin dhe të bënim ndryshimin mes Superiores dhe Kategorisë së Parë. Nuk u përshtatëm dot si duhet dhe kjo na krijoi ngërçe të njëpasnjëshme. Në kushte të tilla u munduam të ndryshonim diçka, por sërish mentaliteti nuk ishte ai i duhuri. Tani them se me tri ndeshjet e luajtura pas ndërprerjes së kampionatit kemi filluar të hyjmë në rrugën e duhur për të arritur objektivin maksimal që ka vendosur klubi. Ardhja e Gvozdenoviç në krye të stolit na dha më shumë ndihmë nga ana mentale dhe psikologjike. Më këtë Ivani u mor më shumë pasi kërkonte të risillte në Korçë mentalitetin e humbur të fituesit. Besoj se ka qenë një ndihmesë jo e vogël për ne që na bëri të hynim në fushë me një tjetër ritëm dhe mbi të gjitha më të përqendruar”, theksoi fillimisht Vangjel Zguro.

RIKTHIMI – Kapiteni u ndal edhe te pjesa e mbetur e sezonit dhe objektivi që duhet të arrihet si kusht i vendosur nga klubi. Për 29-vjeçarin mbetet e rëndësishme ndërhyrja në merkato, por mbi të gjitha vijimi me këtë mentalitet të punës edhe në vijim.

“Për sa i përket datës sime të rikthimit, po pres të flas këto ditë me presidentin Ardjan Takaj. Do të shohim se kur do të gjejmë gjuhën e përbashkët për rikthimin. Kemi ende ditë për të filluar përgatitjet dhe normalisht do të vendosim bashkërisht me lejen e klubit. Sa i përket vijimësisë, jam i bindur se qëllimi parësor për të gjithë është që të rinisim atje ku e lamë me rezultate pozitive dhe mbi të gjitha me mentalitetin dhe përqendrimin e duhur. Për merkaton, klubi e di më mirë se çfarë duhet të bëjë… Normalisht që ka vend për përmirësime kurdoherë, pavarësisht se ky grup për mendimin tim e ka cilësinë”, përfundoi Vangjel Zguro.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"