Memushi zbarkon në fushë: Oriku, një Flamurtar i vogël. Kam synime të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 10:38

Memushi zbarkon në fushë: Oriku, një Flamurtar i vogël. Kam synime të mëdha

Zyrtare, Eqerem Memushi është trajneri i ri i Orikumit. Një ditë pas largimit të Artan Sakajt, klubi ka gjetur menjëherë pasardhësin.

eqerem memushi

Edhe pse prej ditësh flitej se mund të ishte pasuesi i Dritan Sadedinit te Flamurtari, historia ka marrë tjetër rrjedhë. Ai prej të martës ka marrë “timonin” e ekipit tjetër të bregdetarëve. Prezantimi është bërë rreth orës 14:00 në Kompleksin Sportiv “Oriku”, në prani të lojtarëve dhe stafit drejtues të ekipit.

Në fjalët e para si trajner i ekipit shfaq qartazi dëshirën dhe besimin për të rrëmbyer rezultate pozitive e për të renditur skuadrën në ekipet më të mira të Grupit B. Fill pasi mbylli stërvitjen e parë, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 54-vjeçari zbulon arsyet e kësaj zgjedhjeje dhe shpalos synimet. Rrugëtimi i tij do nisë me Turbinën, ndeshje nga e cila pritet kthesa e madhe.

“Jam i lumtur se do të drejtoj Orikun në këtë rrugëtim, që është sa i bukur, aq edhe i vështirë. Arsyet që zgjodha këtë skuadër janë planet afatgjata që klubi ka, por njëkohësisht dhe korrektësia e serioziteti i presidencës, të cilët synojnë që skuadra të ecë sa më mirë. Kushtet, infrastruktura e gjithçka tjetër duket shumë mirë. Do të jem i përqendruar vetëm tek Oriku, për të cilin duhet të punojmë sa më fort për të qenë sa më lart në renditje. Si një djalë i këtij qyteti, e ndieja detyrim të jap dhe unë kontributin tim për ekipin, që të gjithë e quajmë ‘një Flamurtar i vogël’.

Për sa u përket lojtarëve, janë çuna që i njoh të gjithë shumë mirë, i di kapacitetet e tyre dhe çfarë janë në gjendje të arrijnë. Mendoj se bashkëpunimi ynë do t’i sjellë frytet e tij, e presim që gjithçka të shkojë sa më mirë. Sapo kam përfunduar stërvitjen e parë me skuadrën dhe gjithçka shkoi shkëlqyeshëm. Tani sytë tanë janë drejt takimit të fundjavës ndaj Turbinës, skuadër ndaj së cilës do të kërkojmë rezultat pozitiv”, u shpreh ndër të tjera 54-vjeçari. I pyetur edhe për Flamurtarin dhe lajmet që e bënin pasues të Sadedinit, tekniku nuk ka dashur që të japë shumë detaje dhe është mjaftuar me këtë fjali: Është një temë e mbyllur, për të cilën nuk dëshiroj që të flas”.

ENRIKO GABAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"