Medalistët, sa miliona të humbura prej tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2014 | 11:32

Medalistët, sa miliona të humbura prej tyre

precedentetNëse rishikimi i një VKM-je për të ndry shuar mënyrën e shpërblimit të peshëngritësve, jo vetëm për dygarëshin, por edhe për medaljet e fituara në stilet respektive shkëputje apo shtytje do të bëhej shumë vite më parë, peshëngritësit do të kishin përfituar mjaft financiarisht (legjitime për ta). Në fakt, nuk ka ndodhur kështu, pasi ata janë privuar nga kjo gjë. Edhe pse tonelatat e ngritura prej vitesh mbi supe janë shpërblyer me medalje në njërin stil për shumë sportistë të elitës botërore, ai financiar ka munguar. Por e kaluara ka dëshmuar se ky ngërç është bërë jo pak herë edhe shkak i konferencave të panumërta deri edhe në protesta në zyrat e institucioneve përgjegjëse nga vetë të “dënuarit” nga ky ligj: peshëngritësit. Deri edhe në kërcënime për bojkot të arenës ndërkombëtare dhe të flamurit kuqezi. Në një hulumtim të bërë nga “Panorama Sport” nga viti 2009 në disa prej pjesëmarrjeve ndërkombëtare më të rëndësishme si kampionate europiane e botërore, vihet re se medaljet e fituara nga sportistët tanë janë “zeruar” në financa, jo në palmaresin e gjithsecilit. Dhe të djegur ka qenë si te garat e të rriturve dhe të të rinjve (që sipas vendimit të Këshillit të Ministrave kjo kategori shpërblehet në masën 25 për qind të vlerës së përcaktuar për të rriturit). Në Europianin e të rinjve të 2009-s në Landskrona të Suedisë, Briken Calja në peshën 69 kg do të fitonte medalje bronzi në shkëputje, por mos kualifikimi në dygarësh brenda treshes kontinentale i mohoi një premio të mundshme. Listës së medalistëve i bashkohet edhe Erkand Qerimaj në Europianin e të rriturve në Kazan të Rusisë në 2011-n me argjendin në shkëputje; Godelli në Europianin e të rinjve në 2011-n në Bukuresht me medaljen e artë në shkëputje; Romela Begaj në Botërorin e të rriturve në Paris në 2011-n me bronzin në stilin e shkëputjes e kështu me radhë. Tashmë ky kalvar zhgënjimesh ndër vite mund të quhet i mbyllur për medalistët mbrëmjen e 14 nëntorit nga aeroporti “Nënë Tereza” pas premtimit të ministres Lindita Nikolla. “Nuk ka VKM që i mohon shpërblimin”, do të deklaronte numri një i Sporteve në vend referuar shpërblimit të mundshëm për medalisten e artë të botës, Romela Begaj, në stilin e shkëputjes.

Ja çfarë parashikon ligji
Me një vendim të qeverisë jo të specifikuar të 2011-s, deri tani asnjë peshëngritës nuk është shpërblyer nëse ka zënë një vend nderi në shkëputje apo shtytje, pasi sipas VKM-së është trajtuar financiarisht vetëm sportisti i kualifikuar në dygarësh. Në VKM-në nr.335, datë 2.3.2011 për disa ndryshime në vendimin nr. 1720, datë 29.10.2008 “për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv, për mënyrën e shpërblimit të sportistëve që i arrijnë këto nivele si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive”, trajtohet financiarisht vendi i parë deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike; vendi i parë deri në vendin e pestë në Botëror. Në Europian trajtohet nga vendi i parë deri në vendin e tretë, ndërsa në Mesdhetare trajtohet vetëm vendi i parë.

Nikolla premtoi rishikim të vendimit
Një ditë më parë, në pritjen e organizuar për delegacionin kuqezi, mes tyre edhe dy kampionët e rinj të botës, Daniel Godelli (dygarësh) dhe Romela Begaj (në shkëputje), ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pasi shprehu mirënjohjen për peshëngritësit shqiptarë, theksoi se qeveria është e vendosur të hapë një rrugë të re për sportin shqiptar. Por interesimit të mediave për rishikimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin në rast medalje jo vetëm në dygarësh, por edhe në stilet respektive, ministrja Nikolla iu përgjigj: “Do të refuzoja t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, sepse sot kemi një kampione të madhe që nuk ka VKM që ia mohon shpërblimin”, deklaroi Nikolla pas fitores të medaljes së artë të Begës në shkëputje.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"