“Me Teutën duhet patjetër fitore”, Tafili: Sedloski nuk më bind, ja ku gaboi Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2023 | 21:27

“Me Teutën duhet patjetër fitore”, Tafili: Sedloski nuk më bind, ja ku gaboi Vllaznia

Alsid Tafili është një nga ata ish-lojtarë të Vllaznisë që ka lënë gjurmë me fanellën kuqeblu në dekadën e fundit, duke qenë pjesë e ekipit në momente të mira dhe shumë të vështira.Alsid-Tafili-1

35-vjeçari prej disa muajsh i është futur edhe menaxhimit të lojtarëve, ndërkohë që nuk ngurron të bëjë një analizë për situatën te shkodranët. Në bisedën për “Panorama Sport”, ish-mesfushori theksoi se trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski, nuk e bind për mënyrën se si po e menaxhon situatën. Tafili tregoi edhe se ku gaboi skuadra në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, që solli edhe eliminimin e Vllaznisë nga gjysmëfinalja e Kupës. Ai mendon se pavarësisht këtij momenti të keq, ekipi i ka forcat për të kapur vendin e katërt, që do të thotë pjesëmarrje në Ligën e Konferencës.

Alsid, Vllaznia e këtij sezoni ishte larg pritshmërive dhe tashmë rrezikon edhe Europën. Ju bën përshtypje fakti që së fundmi u eliminua nga Kupa e Shqipërisë?

Nëse flasim për ndeshjen e fundit me Egnatian, unë ngarkoj me faj më shumë trajnerin për rreshtimin e skuadrës. Ekipi i dha shumë terren kundërshtarit dhe disa herë Egnatia u afrua te zona e Vllaznisë derisa e ndëshkoi. Kur një ekip e ndërton lojën që të mbrohet mirë, në një moment skuadra do të gabojë. Jo se ishte ndonjë gabim fatal, por thjesht një top i kthyer brenda zonës, që kundërshtari e ktheu në gol. Por, në ndeshje të tilla këto episode bëjnë diferencën.

Pse mendoni se Sedloski ka gabuar me rreshtimin?

Nuk e pashë asnjëherë si trajner që të kërkonte nga skuadra të shtyjë përpara, sepse këto detaje janë që mund të fitohet një ndeshje. Ashtu si kundërshtarët, që kanë analizuar Vllazninë se ku mund të na godasin, ashtu edhe Sedloski duhet ta analizonte mirë Egnatian. Domethënë, në moment tranzicioni pozitiv, kur ato sulmonin dhe Vllaznia fitonte topin, trajneri besoj që e ka punuar në stërvitje, se si do ta kapnin në kundërsulm kundërshtarin. Mirëpo, Vllaznia në këtë ndeshje nuk e kapi në asnjë moment në kundërsulm Egnatian. Të paktën, ajo ishte logjika kur mbrohesh mirë, që të kapësh skuadrën kundërshtare në kundërsulm, por te Vllaznia nuk e pamë këtë gjë.

Përveç kësaj pjese teknike, ju shikoni se ka diçka tjetër që ndoshta nuk shkon në skuadër?

Organika e Vllaznisë është shumë e mirë. Ka lojtar lider në skuadër dhe besoj shumë të paguar, por ndoshta trajneri nuk i ka motivuar në mënyrën e duhur ose Sedloski nuk po ia merr maksimumin atyre, edhe pse në kampionatin shqiptar flitet se “ne kemi skuadrën më të mirë”. E kam parë me vëmendje çdo ndeshje, që nga mënyra se si e vendos në fushë Sedloski skuadrën dhe çfarë kërkon nga ajo. Por, edhe mënyrën se si e motivon ekipin dhe leximin që i bën lojës, mua nuk më bind. Në këto 7 ndeshje nuk kemi shikuar diçka ndryshe që t’i japin meritë trajnerit. Nuk dua ta paragjykoj aspak, s’ka lidhje nëse është i huaj apo shqiptar. Do të thosha të njëjtën gjë kushdo trajner që të ishte.

Çfarë duhet të ndryshojë Vllaznia në këto takime të mbetura për të shpëtuar sezonin?

Te Vllaznia momentalisht është besimi që po mungon, si nga stafi, po edhe te lojtarët. Ata duhet të arrijnë të motivojnë veten, por edhe njeritjetrin, në mënyrë që të kthehet optimizmi edhe fryma e grupit. Nuk mund të them që këto djem nuk po japin 100% edhe nuk kanë dëshirë. Me bindje e them që është ekipi më i mirë në Superiore, por momentalisht shikoj një skuadër të paqartë për atë që kërkon.

Sa janë shanset që mendoni se e kap Europën?

Kjo skuadër duhet të jetë në Europë për vetë shpenzimet vjetore, por edhe për organiken që ka. Te Vllaznia nuk duhet që t’ia lejojnë vetes që të mos kapet Europa, qoftë për objektivat e tyre personalë, por edhe për tifozët, që e presin një gjë të tillë nga skuadra. Unë jam optimist se ekipi do t’i arrij objektivat, sepse vetë ky grup lojtarësh kanë dhuruar shumë emocione dhe tashmë u duhet të japin edhe një sforco të madhe në këto ndeshje të mbetura. Nëse ndodh e kundërta dhe nuk kapin dot Europën, besoj se drejtuesit do të analizojnë gabimet, që janë bërë dhe do të marrin masa për sezonin tjetër.

Të mërkurën luani me Teutën, çfarë prisni nga ky takim?

Do të jetë ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për të siguruar pikët maksimale. Tani çdo takim do të jetë finale për të gjithë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"