“Më pëlqen Ibrahimoviç”, talenti i Kombëtares: Më krahasojnë me Bonuçin, por dua të ndjek Van Dajk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2023 | 11:19

“Më pëlqen Ibrahimoviç”, talenti i Kombëtares: Më krahasojnë me Bonuçin, por dua të ndjek Van Dajk

Shqipëria U21 ftoi një mbrojtës, kartonin e të cilit e ka Xhenoa por që luajti si i huazuar te Amora në Portugali. Mbrojtësi 20-vjeçar Elmando Gjini ka folur për “FSHF” në lidhje me karrierën e tij, Kombëtaren si edhe shembujt që ndjek në futboll.

elmando gjini

“Fillimet? E kam nisur si gjithë të tjerët, në moshë të vogël ëndrrën për t’u bërë futbollist. Të gjithë ishin me makina, kurse unë me topin në këmbë. Futbollin e kam pasion, e kam në gjak.

E gjithë familja më ka mbështetur gjithmonë, por babai më së shumti. Ai nuk ka humbur asnjë stërvitje timen e normalisht as ndeshje. Gjithmonë më ka mbështetur në hapat që kam hedhur në futboll. Ai është personi i cili më ka frymëzuar.

Ngjashmëri? Të gjithë më thonë se ngjaj me Leonardo Bonuçin, për teknikën dhe qetësinë që kam me topin. Jam një mbrojtës modern. Edhe pse jam 2 metra i gjatë, kam fatin të kem teknik dhe shpejtësi këmbësh. Kjo gjë më ka favorizuar shumë.

Grumbullimi me Kombëtaren? Kam qenë shumë i lumtur dhe krenar kur më kanë ftuar në Kombëtare. Luajta për herë të parë me Shqipërinë U17 në kualifikueset e Europianit. Trajner ishte Mustedanagiç dhe më dha mundësinë të luaja ndaj Kroacisë dhe titullar ndaj Spanjës. Falë Kombëtares jam këtu ku jam, ndaj jam shumë mirënjohës.

Sukseset? Unë nuk është se kam fituar shumë tituj, por gjithmonë kam dhënë maksimumin në fushën e lojës. Çdo vit bëhem lojtar më i mirë dhe kjo është për mua shumë e rëndësishme.

Karriera? Në fillim ka qenë e vështirë, por unë jam një person që kam shumë besim në vetvete. E dija që e gjithë kjo sakrificë do të dalë për mirë, por akoma duhet të vazhdoj të luftoj. Kam fituar eksperiencë të madhe, kam marrë taktikën dhe grintën e Italisë, ndërsa tani teknikën e Portugalisë. Kjo më bën mua një lojtar më të kompletuar.

Idhujt? Lorik Cana më ka pëlqyer shumë si lojtar. Edhe pse e ka mbyllur me futbollin e luajtur, ai mbahet mend dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme. Nga lojtarët e huaj më pëlqen Zlatan Ibrahimoviç, jo vetëm si lojtar, por edhe si personazh.

Objektivat? Pritshmëritë janë të mëdha. Kam edhe një vit kontratë me Xhenoan. Le të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë. Synimi im është të arrij në nivelet më të larta dhe të luaj në kompeticione të rëndësishme, si Champions League. Do kisha dëshirë që të ndiqja gjurmët e Van Dijk të Liverpul.

Shqipëria ka një të ardhme shumë të mirë, është gjithmonë në rritje. Edhe tani mendoj me të vërtetë se mund të shkojnë në Europian.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"