“Me Partizanin nuk e quaj hakmarrje, por luajmë për 3 pikët”. Sfidon të shkuarën, Gresild Lika: Skënderbeu si askush tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2023 | 18:46

“Me Partizanin nuk e quaj hakmarrje, por luajmë për 3 pikët”. Sfidon të shkuarën, Gresild Lika: Skënderbeu si askush tjetër

Skënderbeu po përgatit sfidën e radhës ndaj Partizanit në transfertë, një ndeshje e cila është tejet delikate dhe e vështirë për korçarët. Normalisht që një ndeshje të tillë bardhekuqtë e kanë vlerësuar maksimalisht, por duket se këtë herë nuk kanë në favorin e tyre edhe gjendjen fizike të lojtarëve. Me sulmin thuajse të boshatisur dhe në transfertën e kryeqytetit, korçarët sërish do të kërkojnë pikët e plota, si një objektiv që shoqëron Skënderbeun në çdo ndeshje.

LIKA SKENDERBEU

I këtij mendimi është edhe Gresild Lika, sulmuesi i momentin në radhët e bardhekuqve që po tregon cilësi dhe vlera në këto dy ndeshjet e fundit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Lika flet për momentin që po kalon dhe objektivin e Skënderbeut për ndeshjen e radhës duke snobuar disi çështjen e vendit të katërt në renditje.

Lika, dy ndeshje të luajtura si titullar, një gol dhe një asist. Cili është sekreti i kësaj paraqitjeje?

Më vjen mirë që kam arritur të jem i rëndësishëm për ekipin në këtë moment të kampionatit. Por, mendoj se është forca e grupit ajo që na bën të japim më të mirën dhe të shfaqemi në këtë mënyrë. Thjesht kam punuar fort në çdo seancë stërvitore dhe kam pritur momentin tim, për të dhënë kontributin në fushë. E mendoja gjithmonë që do të vinte mundësia dhe kur të vinte, duhet që unë të isha gati. Mendoj se e kam bërë një gjë të tillë dhe për këtë më vjen mirë.

Tani radhën e ka Partizani, çfarë do të thotë kjo ndeshje për ty?

Unë jam rRitur te Partizani dhe mund të them se kam mësuar nga shkolla e Partizanit përsa i përket futbollit. Tani jam në një ambient tjetër dhe ndihem mirë këtu. Kemi një harmoni që e gjen në pak, për të mos thënë në asnjë klub tjetër në Superiore. Do të jetë një lloj derbi për mua dhe normalisht që dua ta luaj.

A mund të themi se është një “hakmarrje”?

Jo, përkundrazi, unë i jam mirënjohës Partizanit për sa ka bërë për rritjen time. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, por jo një “hakmarrje”. E thashë edhe më sipër, jemi profesionistë dhe do të bëj maksimumin tim për të ndihmuar ekipin që unë përfaqësoj për momentin.

Me shumë mungesa në këtë ndeshje, mendoni se do të ndikojnë?

Për fatin e keq kemi disa mungesa dhe nuk jemi të plotë për këtë takim. Por, jam i bindur se të gjithë që do të luajnë nga minuta e parë, të gjithë që do të vendosë trajneri si titullarë, do të bëjnë maksimumin. Për këtë jam më shumë se i bindur.

Skënderbeu kënaqet edhe me një pikë në këtë transfertë?

Jo, Skënderbeu në çdo ndeshje ka si objektiv maksimal fitoren dhe gjithmonë hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Është një ndeshje që mund t’i ketë të tria rezultatet, por ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin me qëllim që të marrim tre pikët. Më pas, do të jetë fusha ajo që do të flasë më shumë.

Vendi i katërt në renditje ju shton disi presionin?

Për momentin nuk po e shohim aspak renditjen. Është ende shpejt për të parë dhe llogaritur diçka të tillë. Për momentin, duhet të mendojmë vetëm ndeshjen e radhës. Jo më larg se kaq. Më pas do të kemi kohë për të parë edhe situatën e renditjes. LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"