Me “mision” në Berat, “mbreti” i shpërdorimeve te Lushnja: Më ka munguar fati, dua vetëm një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2021 | 11:25

Me “mision” në Berat, “mbreti” i shpërdorimeve te Lushnja: Më ka munguar fati, dua vetëm një gol

Pas 19 ditësh, Lushnja rikthehet në Berat. Ketë herë, për llogari të Kupës së Shqipërisë, ku do të luhet akti i dytë të turit të parë. Një ndeshje që nuk ka interes për lushnjarët, të cilët në “Roza Haxhiu” humbëm me shifrat 0-3. Kjo javë do të jetë e ngarkuar, pasi të dielën do të udhëtojnë edhe në Luz për të matur forcat me Besën për kampionat. Verdhejeshilët kanë shfrytëzuar ndërprerjen për t’u përmirësuar sidomos në sulm.

LUSHNJA 1

Krijojnë raste, por finalizimi çalon. “Mbreti” i shpërdorimeve është Hugo da Silva, sulmuesi i afruar gjatë verës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, braziliani evidenton se e ka penalizuar fati. “Kam humbur shumë raste dhe kjo nuk është gjë e mirë. Unë jam një sulmues dhe detyra ime është që të shënoj.

E di që pritet shumë nga unë dhe kërkoj vetëm pak fat para portës. Kërkoj vetëm golin e parë. Unë po punoj që të jem golashënuesi i Lushnjës. Shpresoj që ta zhbllokohem”, tha Hugo.

MONE – Arbër Mone beson se autokritika nuk do të vonojë. Mbrojtësi i krahut të majtë për gazetën deklaron se skuadra po rritet dhe shumë shpejt do të vijnë rezultatet. “Ekipi e ka shfrytëzuar ndërprerjen për t’u përmirësuar në të dyja fazat e lojës. Do të luajmë fillimisht ndeshjen e Kupës me Tomorin, që do të na shërbejë edhe për të parë si do të reagojmë pas 10-11 ditësh përgatitje. Kuptohet që vëmendja jonë është e përqendruar te Besa.

Ne vlerësojmë çdo sfidë, por kampionati është prioritet. Jemi duke punuar me qëllimin e vetëm, që ekipi të fitojë pikët e para në transfertë. Lushnja bën një lojë të mirë dhe këtë duhet ta shprehim me rezultate. Ndaj Besës nuk duhet të dalim pa pikë”, përfundoi 33-vjeçari.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"