Mbrojtja dhe krahët, ja pse u “fik” Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2016 | 15:12

Mbrojtja dhe krahët, ja pse u “fik” Partizani

Pas një ecurie pozi tive, te Partizani janë kthyer hijet e pjesës përmbyllëse të fazës së dytë që sollën dorëzimin e vendit të parë dhe largimin e trajnerit Sulejman Starova nga drejtimi i ekipit. partizani bylis peposhiAjo periudhë e errët nisi me barazimin 0-0 në derbi, që u pasua më pas me barazimin 1-1 me Bylisin në “Qemal Stafa”, si dhe dy humbjet 1-0, e para në Korçë dhe më pas në kryeqytet ndaj Teutës.

Për fatin e keq të Partizanit, historia po përsëritet sërish përballë të njëjtëve kundërshtarë. Pas barazimit 2-2 me Tiranën dhe humbjes së papritur 2-1 me Bylisin në kryeqytet, “demat” vetëm matematikisht kanë shpresa për të fituar titullin në dy ndeshjet e mbetura, kur dihet që diferenca me Skënderbeun është minus 5 pikë.

Shkaqet

Pas fitoreve, 3-0 me Vllazninë, 1-0 me Kukësin, 4-0 ndaj Tërbunit, në mënyrë të papritur Partizani humbet fizionominë e tij. Zakonisht, sukseset e “demave” janë bazuar te mbrojtja solide, si dhe efektshmëria e lojës nga krahët, si dhe në goditjet standarde. Por në dy sfidat e fundit të kuqtë kanë qenë “të fikur”, pasi kanë çaluar aty ku kishin pikën më të fortë.

Nëse në 14 javët e para në kampionat për 2016- ën Partizani pësonte 4 gola, katër i morën në 180 minutat e fundit, dy nga Tirana në derbi dhe dy nga Bylisi. Që këtu del qartë shkaku kryesor i dështimit momental të skuadrës. Mirë, keq, deri në këtë pikë Partizani ka ardhur me Kalarin në të majtë të mbrojtjes, por në ndeshjet e fundit trajneri Agostineli ka eksperimentuar, prova të cilat nuk kanë dhënë rezultat.

Qendra e mbrojtjes ka peshën kryesore të fajit në golat e pësuar në dy ndeshjet e fundit. Ndonëse lojtarët e këtij reparti nuk kanë freskinë dhe përqendrimin e duhur, klubi ka luksin të pezullojë Ditmar Bicajn, që mund të ishte i nevojshëm për situatën ku ndodhet skuadra. Ndaj Bylisit, me daljen e Krasniqit stafi bëri eksperimentet e radhës në qendër, por nëse do të ishte Bicaj, do të ruhej normaliteti i rreshtimit të ekipit.

Mesfusha dhe sulmi

Një nga shkaqet e rënies është edhe mosfunksionimi i mesfushës, ku qendra nuk është ajo e mëparshmja. Partizani armë të fortë ka pasur lojën nga krahët, por së fundmi kjo manovër nuk prodhon asgjë, pasi mungojnë inkursionet e shpejta dhe vertikalizimet në zonë për sulmuesit. Mungesa e Mazrekajt po duket, pasi mungojnë shërbimet në zonë. Sulmi ka luhatje të shumta, ku duket qartë varësia nga Sukaj dhe kur nuk shënon shkodrani nuk ka as fitore për “demat”.

Njeriu i momentit në ekip është i riu Realdo Fili, që ka shënuar 3 gola, por ai derbit do të mbahet mend gjatë. Raçiç është hija e sulmuesit të sezonit të shkuar, madje edhe kur hyn në fushë vetëm prish balancat. Torrasa sillet nëpër fushë, por goli mbetet si projekt afatgjatë. Stoli nuk ka qenë efikas në sfidat e fundit dhe nëse vërtet shpresohet te mrekullia, së pari Partizani duhet të mos i shfaqë këto të meta në 180 minutat e fundit të kampionatit.

Përgatiti: ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"