Analiza pas humbjeve, tek Apolonia vazhdon adeti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2021 | 16:33

Analiza pas humbjeve, tek Apolonia vazhdon adeti

Tek Apolonia vazhdojnë adeti i post-humbjeve: kryhen analiza. Kështu ngjau edhe dje, kur Juri Kanarsa zhvilloi një mbledhje me të tijtë. Dyert ishin të mbyllura dhe kritikat nuk kanë munguar. Fierakët u përmbysën në Pogradec, duke dëshmuar se nuk dinë të mbrojnë as avantazhin.

Apolonia

Edhe pse shënuan të parët, u ndëshkuan dy herë dhe për pasojë u larguan “thatë”. Trumbetuan me të madhe se do të tentonin ngjitjen e menjëhershme në elitë, por bardhejeshilët nuk po i largohen dot fundit të tabelës prej javësh e javësh. Në tri ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm 3 pikë dhe situata nuk duket aspak premtuese, ndaj trajneri e ka parë të udhës që ta “shkundë” grupin.

E megjithatë, ai e pranoi edhe pas humbjes se mungesa e përvojës po bën të vetën. Fierakët kanë shumë të rinj në organikë dhe pa eksperiencë është e vështirë t’i bësh ballë një kategorie kaq të ashpër.

“Kalendari ka qenë i pamëshirshëm, por nuk ka vend për justifikime. Në çdo ndeshje ne duhet të japim më shumë se 100%. Vendi ynë në renditje është shumë larg pritshmërive dhe kemi mungesë të theksuar pikësh. Gabojmë në disa momente kyçe të ndeshjeve dhe këto gabime po na largojnë nga java në javë nga objektivi ynë sezonal”, mësohet të ketë thënë italiani gjatë kësaj mbledhjeje.

Trajneri dhe ndihmësit e tij kanë biseduar gjerë e gjatë me lojtarët përpara stërvitjes së zakonshme, ku kërkojnë më shumë përqendrim dhe vendosmëri për vazhdimësinë në kampionat. Janë analizuar me kujdes tri ndeshjet e fundit të Apolonisë dhe janë nxjerrë mjaftueshëm gabime, me shpresën që të rikuperohen në vazhdim.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"