Mbahet trofeu “Dita e Verës”, dyrrotakët nisin sezonin në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 10:10

Mbahet trofeu “Dita e Verës”, dyrrotakët nisin sezonin në Elbasan

Çiklizmi ka hapur siparin këtë vit sa i përket aktiviteteve, duke mbajtur Trofeun “Dita e Verës”, event në të cilin morën pjesë 12 skuadra të vendit. Në këtë garë pedaluan kategoria kadetë me itinerarin Elbasan – Shalës – Elbasan, me gjatësi 50 km, si edhe kategoritë Junior dhe Elitë U-23 me itinerarin Elbasan – Belsh – Elbasan i gjatë 97.1 km.

ciklizem

Në të dyja garat nuk ka pasur probleme rrugës, e cila ka vijuar e qetë, në sajë edhe të një moti të qëndrueshëm përgjatë ditës së djeshme në qytetin e Elbasanit. Sa i përket fituesve, vendi i parë në kategorinë e kadetëve i takoi çiklistit të Flamurtarit, Skerdi Gjonaj, i cili mposhti me fotofinish Markeljan Debullën e Skënderbeut, ku të dy i përshkuan 50 km me kohën 1 orë e 30 minuta dhe 10 sekonda.

Vendi i tretë i takoi Rinaldo Harunajt të Flamurtarit me kohën 1 orë e 30 minuta dhe 50 sekonda. Sa i përket kategorisë Junior dhe Elitë U-23, ishte një garë e fortë midis disa çiklistëve, por në fund me fotofinish triumfoi Henri Hysa i Teutës me kohën 2 orë e 34 minuta. Pas tij u renditën sportisti i Vllaznisë, Mateo Balaj dhe ai i Tiranës, rumuni Dimitri Produnukau.

Vlen të theksohet se në këto gara mori pjesë edhe një vajzë, Marsela Luzi e Teutës, e cila garoi në kategorinë e kadetëve dhe e mbylli garën me një kohë të kënaqshme, 1 orë e 34 minuta. Kjo garë u mbajt edhe në kuadër të kremtimeve të Ditës së Verës që mbahen në qytetin e Elbasanit, ndaj i pranishëm për t’i përshëndetur fituesit ishte edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja.

I pranishëm gjithashtu ishte edhe kreu i federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i cili vlerësoi këto gara të mbajtura dhe uroi të gjithë sportistët pjesëmarrës me ekipet e tyre për rezultatet e arritura.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"