Mateus zgjedh Levën përpara Mesit, shifrat i japin të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2020 | 23:52

Mateus zgjedh Levën përpara Mesit, shifrat i japin të drejtë

Robert Levandovski është më i mirë sesa Lionel Mesi sipas legjendës së Bajernit të Mynihut, Lotar Mateus. Sulmuesi polak ka bërë sezonin më të mirë në karrierë jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë dhe në ndeshjen e fundit kundër Çelsit shënoi një dopietë.

montaje-de-leo-messi-y-robert-lewandowski-durante-la-temporada-2019-20--afp

Dy golat e 31-vjeçarit e ndihmuan skuadrën gjermane të fitonte 7-1 me rezultat të përgjithshëm ndaj anglezëve, duke prerë biletën në çerekfinalen me Barcelonën në Lisbonë. Por Mateus, i cili ka regjistruar më shumë se 400 prezenca me fanellën e Bajernit, tha për “Bild” se gjigantët katalanas nuk duhen pasur frikë të premten: “Mesi do të jetë përballë pasardhësit të tij si lojtari më i mirë në botë, Robert Levandovski.

Ai është futbollisti më i mirë, jo thjesht sulmuesi më i mirë. Dhe Barcelona e sotme nuk është më ajo e dikurshmja. Ajo ka Mesin sigurisht. Një futbollist si ai është gjithnjë i aftë të bëjë diçka gjeniale. Por ai i vetëm nuk do të mjaftojë kundër këtij Bajerni. Barcelona nuk më tremb”. Dhe me sa duket, statistikat i japin të drejtë ish-kapitenit në gjykimin e tij. Polaku ka shënua 53 gola në vetëm 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Leva kunder Mesit

Ai e ka gjetur golin 34 herë në 31 ndeshje të Bundesligës, por numri 9 i bavarezëve ka treguar se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm edhe në arenën europiane. Leva ka një mesatare goli të pabesueshme, çdo 48 minuta këtë sezon në Champions. Ai e humbi vetëm për dy gola betejën me Çiro Imobilen për “Këpucën e Artë” këtë sezon, por nëse do të udhëheqë Bajernin drejt triumfit të gjashtë në Champions në Portugali, atëherë është një fatkeqësi që “Topi i Artë” nuk do të akordohet këtë sezon, përndryshe ish-ylli i Dortmundit nuk do të kishte rivalë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"