Martini-Teuta binomi perfekt, bëhet gati “kurthi” për shijakasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2023 | 9:20

Martini-Teuta binomi perfekt, bëhet gati “kurthi” për shijakasit

Edi Martini dhe Teuta janë një binom perfekt, duken të bërë për njëri-tjetrin. Shkodrani, i cili në karrierën e tij si trajner ka fituar shumë trofe, tashmë duket në rrugën e duhur edhe këtë sezon. Në të katërtën aventurë si drejtues me durrsakët, Martini ka lënë shije të mirë, pasi e ka kthyer skuadrën në shina dhe po merr rezultate të njëpasnjëshme.

teuta

Të shumtë ishin ata që deri para pak javësh e konsideronin Teutën thuajse të rënë, por më kalimin e ndeshjeve ata po tregojnë të kundërtën.

Skuadra e Martinit është e shtata, vetëm shtatë pikë nga Europa, teksa me afrimet janarit ka fituar identitetin që i mungonte.

Ekipi aktual, në 10 ndeshje nën drejtimin e Martinit, numëron gjashtë fitore, dy humbje dhe po aq barazime, teksa do të tentojnë të marrin triumfin e radhës në derbin e sotëm ndaj Erzenit, çka do t’i jepte shansin të qëndronte në pozita komode, duke u distancuar nga zona e rënies nga kategoria.

PËRGATITJET – Blutë zhvilluan dje stërvitjen e radhës para ndeshjes së nesërme ndaj Erzenit në “Niko Dovana”. Lajmi i mirë është se skuadra nuk ka pasur asnjë shqetësim fizik gjatë gjithë javës dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion për këtë ndeshje.

Formacioni pritet të kristalizohet para sfidës, por një ide paraprake me siguri trajneri Martini e ka.

FORMACIONI – Qirko si zakonisht pritet nga minuta e parë në portë, teksa mbrojtja me shumë mundësi do të jetë me tre, e përbërë nga Goxhaj, hero në ndeshjen me Bylisin, Jazxhi dhe Kotobelli. Mesfusha do të përbëhet nga pesë lojtarë, me Albion Markun dhe Kuron në krahë, teksa në zemër të fushës do të jenë të vendosur Beqja, Karabeci dhe Kallaku. Në sulm nga minuta e parë i sigurt është Lorenco Vila, teksa ka një dyshim mes Grudës dhe Dacit.

Teuta kërkon me patjetër fitoren në këtë sfidë pas formës së mirë, por përballë ka një nga skuadrat më të mira të kampionatit dhe i pret një përballje shumë e vështirë, në cilën e luajnë në stadiumin e vet, por si miq, ku pritet të ketë më shumë tifozë shijakas në shkallët e stadiumit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"