Martini do skuadër heroike, në Durrës të dënuar për 3 pikë: Fitore me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 10:00

Martini do skuadër heroike, në Durrës të dënuar për 3 pikë: Fitore me Dinamon

Edhe pse ka mbetur edhe një ndeshje nga mbyllja e vitit, në kampin blu kanë nisur edhe lëvizjet e para, kryesisht sa u përket largimeve.

Martini

Pas Aldi Gjumsit dhe Mario Gjatës, i treti që nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Teutës, është mbrojtësi Ardit Iljazi, i cili e mbyll aventurën e tij pas 6 muajsh dhe pritet që të largohen pranë familjarëve. Ardit Iljazi nuk ishte një titullar fiks me Teutën ku kurrë nuk u ngrit në pritshmëritë e klubit. Pas largimit, Iljazi ka falënderuar klubin e presidentin dhe është ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme me Teutën.

Ja mesazhi i lamtumirës i Ardit Iljazit me Teutën: “Falënderime për qytetin e Durrësit dhe Teutën. Pas 6 muajsh të mbushura me sfida, emocione, vështirësi, por edhe momente të mira, erdhi momenti t’i them lamtumirë ekipit të Teutës. Ky ekip më dha mundësinë të isha si në vendlindjen time ku bëra shumë miq. Falënderoj presidentin Hasanbelliu për bashkëpunimin dhe besimin e dhënë, trajnerin Martini, si dhe bashkëlojtarët e mi në këta 6 muaj, pa harruar tifozërinë me mbështetjen e saj të vazhdueshme. Uroj të dëgjoj vetëm të mira për ju. Suksese Teuta”.

TRAJNERI – Edi Martini karikon Teutën ndaj Dinamos në fushë për fitore. Në një fjalim para skuadrës ai kërkoi sforco për fitoren. “Djem përballë Dinamos do të duhet të luftoni në çdo perimetër e centmetër të fushës. Duhet të qëndrojmë me kokën lart dhe të vijojmë punën për të dalë nga ky moment së bashku si një trup i vetëm. Kampionati është ende i gjatë dhe pikët janë aty, kështu që të fokusohemi te ndeshja e nesërme ndaj Dinamos ku së bashku duhet të luftojmë fort dhe të arrijmë të marrim tri pikët. Momenti është që të gjithë së bashku nesër (sot) të hyjmë në fushën e lojës me grintë dhe karakter, pasi unë jam besimplotë që do t’ia dalim me sukses”, u shpreh Martini përpara ekipit. Edi Martini ka treguar se di t’i japë leksione ekipit kryeqytetas.

PËRGATITJET – Më pas ekipi ka vijuar me procesin përgatitor në prag të sfidës me Dinamon që do të luajnë ditën e premte në “Niko Dovana”. Teuta e ka vijuar programin stërvitor për ndeshjet me Dinamon. Me një seancë të zhvilluar pasdite janë mbyllur përgatitjet për këtë duel. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që vjen pas një ecurie jo të mirë. Megjithatë, të besuarit e Edi Martinit besojnë se do t’ia dalin.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"