“Marsh” bardheblu, Tirana është super. Magani: Kjo ishte ndeshja jonë më e mirë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 30, 2014 | 22:47

“Marsh” bardheblu, Tirana është super. Magani: Kjo ishte ndeshja jonë më e mirë

Apolonia-Tirana 0-3. Skuadrat para ndeshjesAPOLONIA-TIRANA  0-3
GOLAT: Ndikumana 2′, El. Bakaj 65′, Muça 78′
APOLONIA: Cakoviç, Kaja, Atanda, Broshka, Prifti, Xhorxheviç, Dosti (Rajkoviç 46′), Gërxho, Fili, Erkoçeviç (Naçi 82′), Mitraj (Canka 60); (në dispozicion: Miço, Nako, Tomson, Mahilaj). Trajner: E.Demiraj.
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Curri, Bulku, Kalari, Karabeci, Malaj, Ndikumana (Pashaj 82′), El. Bakaj, Olaki (Bushiç 61′), Kagere (Muça 46′); (në dispozicion: Ed. Bakaj, Morina, Hyshmeri, Gavazaj). Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: Erkoçeviç 31′, Atanda 44′, Prifti 60’/ Karabeci 30′, Kalari 58′, Bakaj 68′, Bushiç 70′
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARE: L.Alla, D.Korreshi (Lushnjë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
2′ Goditje këndi për Tiranën, Kalari kroson në zonë, Ndikumana ngrihet mbi të tjerët, gjuan me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, 0-1.
16′ Goditje dënimi nga 25 metra, ekzekuton Gërxho, Frashëri shpëton portën.
31′ Rrezik në zonën e Tiranës, Mitraj gjuan, por Malaj neutralizon.
54′ Goditje dënimi, gjuan Gërxho, Atanda me kokë, por s’gjen kuadratin.
62′ Goditje dënimi, Bulku kombinohet me Karabecin, që godet nga 30 metra, por topi përfundon vetëm pak mbi tra.
65′ Goditje dënimi, Bulku kroson në zonë, Bakaj edhe pse me shpinë, gjuan me kokë dhe gjen rrjetën, 0-2.
68′ Muça nxjerr të lirë Bushiçin, që pason te Ndikumana, rast i artë për gol, por sulmuesi nuk e arrin dot topin.
72′ Goditje dënimi për Gërxhon, gjuajtje potente e tij, por grushton Frashëri.
75′ Canka merr një top nga krahët, godet, pret pa u shqetësuar portieri i Tiranës.
76′ Rast për Apoloninë, Canka kthen një top për Rajkoviç, që gjuan, por Frashëri është në krye të detyrës.
77′ Shpërdoron Ndikumana, pas një krosi perfekt të Bakajt, edhe pse i vetëm para portës godet jashtë.
78′ Rrëmujë në zonën e fierakëve, topi kthehet nga shtylla, Muça përfiton i ndodhur pranë portës, gjuan në dy kohë, dhe e dërgon topin në rrjetë, 0-3.
86′ Goditje dënimi, Bakaj kroson në zonë, Curri gjuan me kokë, por portieri Cakoviç kontrollon edhe pse me vështirësi. 88′ Bakaj nga këndi, gjuan Pashaji, por s’gjen kuadratin.
92′ Bakaj kroson në zonë për Bushiç, kroati gjuan me kokë, e ndal vetëm trau.

Një Tiranë që fiton pa tifozë në shtëpi, por që nuk fal as në transferta. Kur kanë kaluar 10 javë kampionat, dëshmojnë hapur epërsinë e tyre, duke ecur me “marsh” kampioni dhe lënë pas rivalë direkt si Partizani e Kukësi. Një skuadër që ia del edhe në Fier, atje ku kanë ngecur të kuqtë dhe korçarët. Një Tiranë që dominoi ndeshjen dje në “Loni Papuçiu”, duke i thyer 3-0 fierakët. Ekipi i Maganit me cinizmin e shfaqur në fushë, shfrytëzoi çdo rast që iu krijua, duke ruajtur kështu kreun e renditjes. Ka qenë një ndeshje voluminoze, me sulme dhe kundërsulme, që u vulos nga golat e Ndikumanës, Bakajt dhe Muçës.
Pjesa e parë Sikundër edhe ishte paralajmëruar, Tirana e nis me ndryshime këtë takim. Në qendër të mbrojtjes, në krah të Currit ishte vendosur Bulku, që dhanë mjaft siguri në prapavijë. Sakaq, vendësit bënin llogari në këtë sfidë pa dy titullarë, si Karakaçi e Xhafa. Loja nis vrullshëm për Tiranën që i afrohet shpejt zonës së Apolonisë. Ka goditje këndi që në minutën e dytë, që ekzekutohet nga Kalari, Ndikumana i ndodhur në zonë, ngrihet mbi të tjerët, gjuan me kokë dhe zhbllokon rezultatin në 0-1. Minutat pasuese janë më të kontrolluara, teksa loja më së shumti përqendrohet në mesfushë. Fierakët nuk e pranojnë rezultatin dhe mundohen që të vizitojnë portën mike. Në të 16- n kishin rastin e artë, kur Gërxho ekzekutoi një goditje dënimi, Kaja gjuan me kokë, por Frashëri shpëton portën. Në të 31′ janë bardhejeshilët që kërkojnë golin e barazimit, rrëmujë në zonë, gjuan Mitraj, por kosovari Malaj neutralizon rrezikun.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis me lëvizje në formacionet respektive, teksa vendin e Kageres e zë Muça, ndërsa të Dostit Rajkoviç. Loja ka ritëm, teksa sulmet dhe kundërsulmet janë të shpeshta. Në të 54′ provon Gërxho nga distanca, Atanda me kokë, por s’gjen kuadratin. Pas 8 minutash kundërpërgjigjet Tirana nga një goditje dënimi, teksa Bulku kombinohet me Karabecin, që godet nga 30 metra, por topi përfundon vetëm pak mbi tra. E megjithatë, përpjekjet e bardhebluve shpërblehen shumë shpejt, teksa në të 65-n dyfishohen shifrat. Bulku kroson në zonë nga distanca, Bakaj edhe pse me shpinë, gjuan me kokë dhe nuk gabon, 0-2. Muça i sapofutur në fushë, i jep një tjetër ritëm lojës, teksa në të 68-n nxjerr të lirë Bushiç, që pason te Ndikumana, rast i artë për gol, por sulmuesi nuk e arrin dot topin. Reagojnë vendësit, me Gërxhon që rrezikon me një goditje dënimi, por grushton Frashëri. Në harkun e dy minutave, Apolonia ka shansin të shënojë, me anë të Cankës e Rajkoviç, por gardiani i Tiranës është në krye të detyrës. Bardheblutë shfaqin hapur epërsinë e tyre në fushë, teksa shfaqen të saktë në çdo rast që u krijohet. Dhe në të 78-n vjen goli i tretë. Rrëmujë në zonën e fierakëve, topi kthehet nga shtylla, Muça përfiton i ndodhur pranë portës, gjuan në dy kohë, dhe e dërgon topin në rrjetë, 0-3. Fundi i kësaj sfide flet vetëm për bardheblutë, teksa edhe Curri ka shansin për të shënuar, por gjuajtja e tij me kokë, arrihet nga Cakoviç, edhe pse me vështirësi. Bakaj, veç goleadorit, mundohet të shërbejë edhe shokët. Në 88- n Pashaji s’gjen kuadratin, ndërsa në të 92-ën krosi i Bakajt në zonë për Bushiç ndalet vetëm nga trau.

MË I MIRI
Tirana ishte super nga porta e deri në sulm. Por, pa dyshim ai që meriton notë më të lartë është Elis Bakaj, i cili po dëshmon se ky është momenti i tij. Sulmuesi jo vetëm që shënoi një gol realisht të bukur, por u shfaq tejet altruist duke u shërbyer edhe shokëve të ekipit. Sakaq, Curri dhe Bulku në qendër të mbrojtjes treguan se bashkë janë të pakalueshëm dhe krijojnë më shumë siguri në prapavijë.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Apolonisë ishte në një ditë jo të mirë. Aldo Mitaj nuk rrezikoi thuajse asnjëherë në portën e Tiranës. Madje edhe një rast që mund të barazonte shifrat, u tregua egoist, duke mos shërbyer te lojtarët e tjerë që ishin në zonë. Sakaq, edhe mbrojtja fierake ishte larg pritshmërive, pasi dy golat e parë të shënuar nga bardheblutë, po të ishin treguar më të kujdesshëm, mund të shmangeshin.

MaganiMagani: Kjo, ndeshja më e mirë
Tirana është në krye dhe vazhdon të mos gabojë. Por këtë herë, ka parë diçka më tepër te të tijtë; një skuadër solide dhe e rrjedhshme në fushën e lojës. Gugash Magani në fund të takimit, gjatë deklaratës së dhënë për “Super Sport”, e ka cilësuar këtë si 90-minutëshin më të mirë të bardhebluve. Jo vetëm prej golave, por më shumë prej lojës që prodhuan lojtarët. “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, përballë një skuadre me djem të rinj që luajnë mjaft mirë futboll. Pjesën e parë nuk kemi qenë aty ku duhet, ndërsa në të dytën kemi dominuar përballë kundërshtarit, ku çdo lojtar ka dhënë më të mirën. Janë luajtur 10 ndeshje dhe mendoj se ky takim ka qenë ndër më të mirët që ne kemi zhvilluar. Kjo, jo vetëm për fitoren e arritur dhe për rezultatin, por më tepër për lojën e mirë që kemi luajtur. Mendoj se në pjesën e dytë kemi pasur gjithçka nën kontroll, ku çdo lojtar ka bërë më të mirën. Më bën optimist fakti që të gjithë lojtarët janë gati dhe më bindën edhe zëvendësimet që u futën në fushën e lojës”, tha trajneri duke evidentuar edhe lojën e mirë të lojtarëve që u futën nga stoli. Më tej nuk nguron ta pranojë se kjo ishte Tirana më e mirë, teksa thotë: “Gjithçka po vjen në rritje dhe për këtë më vjen mirë. Ashtu siç e kam thënë, ne duhet të vijojmë të ulim kokën dhe të punojmë, për të lënë fushën dhe rezultatet që të flasin. Dua të them që kanë kaluar vetëm dhjetë ndeshje dhe kemi fituar një betejë, por lufta është ende shumë e gjatë”.
Sulmi – Kur pyetet për formacionin, që kurrë nuk është i njëjti, e sidomos në ofensivë, trajneri zbulon se tashmë skuadra e tij është ajo që ai ka dashur. “Për mendimin tim, skema nuk duhet të ekzistojë, pasi janë detyrat që merr çdo lojtar ato që vlejnë më shumë. Në fillim të sezonit kemi nisur të luajmë me katër sulmues, për shkak edhe të disekuilibrit që kemi me repartin e sulmit. Skemë shumë sulmuese, sic kurrë nuk kishte ndodhur për Tiranën. Në ndeshjet e para kemi pasur edhe pak fat, ndërkohë që më pas kemi pasur një ekip më të shkrirë dhe që ka bërë lojëra shumë herë më të mira se në fillim. Tani shoh që çdo futbollist merr më shumë detyra përsipër, dhe për këtë më vjen mirë. Kjo përkthehet me rezultate dhe lojë të mirë. Tashmë skuadra është fleksible, pasi çdokush interpreton detyrat që i janë dhënë”, përfundoi Magani.

Elidon Demiraj“Prodhuam lojë, por gabuam në goditjet standarde”
Elidon Demiraj priste më shumë. Trajneri i Apolonisë i kënaqet lojës, por nga ana tjetër thekson se skuadra është e paqëndrueshme në momente të ndryshme. “Me rezultatin që ka pasur, ndeshja duket sikur nuk ka pasur histori. Jemi ndëshkuar me një goditje standarde dhe ka krijuar një situatë kaotike për ekipin. Kemi balancuar lojën më pas, duke krijuar edhe mundësi shënimi, por nuk arritëm që të ishim të saktë. Pjesa e parë ka qenë e mirë, me përjashtim të rastit të golit. Ekipi ka luftuar, por është ndëshkuar nga goditjet standarde. Një mospërqendrim maksimal na bëri që ta pësojmë dy herë. Pres më shumë nga ky ekip, e sidomos nga veteranët. Është një moment ngërçi për të tre sulmuesit, pasi kemi krijuar shumë, edhe pse kemi luajtur përballë skuadrave që kanë shpenzuar shumë. Vlerësime për Filin që është vetëm 18 vjeç dhe ka bërë një ndeshje të mrekullueshme”, u shpreh tekniku i fierakëve.

Ndikumana firmos kontraten“Mund të shënonim më shumë”
Ka gjetur golin e dytë, dhe pikërisht ndaj Apolonisë. Selemani Ndikumana, ashtu si në fazën e parë, edhe dje ka dhënë kontributin e tij në fitoren e Tiranës. Sulmuesi nga Burundi, gjatë një deklarate të shkurtër të dhënë për gazetën, u kënaqet pa dyshim pikëve, por nga ana tjetër thekson se mund të kishin fituar më thellë se kaq. “Shfrytëzova një çast pasigurie të mbrojtjes kundërshtare për ta dërguar topin në rrjetë. Pa dyshim që jam i kënaqur që shënova dhe i hapa rrugë fitores së ekipit. Zhvilluam një lojë të mirë dhe mund të kishim shënuar dhe gola të tjerë. Gjithsesi, e rëndësishme ishte arritja e fitores dhe marrja e pikëve”, tha Ndikumana.

Bakaj Elis, lojtar i Tiranes“Fitore me vlera, është momenti ynë”
Mund të quhet pa dyshim super- Bakaj. Sulmuesi i bardhebluve është më shumë se i kënaqur me formën e tij, por mbi të gjitha për ecurinë e skuadrës. “Është momenti i Tiranës dhe i imi me sa duket (qesh). Megjithatë, ato që vlejnë janë pikët dhe ne po dëshmojmë që nuk dimë të falim. E merituam totalisht këtë fitore, pasi veç golave, prodhuam lojë dhe është pikërisht kjo pjesa që të bind. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi lufta për të ruajtur kreun është pa dyshim e vështirë”, tha fillimisht Elis Bakaj. Në fund, nuk ngurron që t’ia dedikojë golat familjes dhe të dashurës së tij, teksa thotë: “Janë ata që më japin forcë dhe falë përkrahjes së tyre, jam këtu”.

“Goli im, vetëm për tifozët”
U fut nga stoli, por kjo duket se e motivoi më shumë. Gentjan Muça i doli në ndihmë sulmit, duke vulosur fitoren në Fier. Pas golit, iu drejtua menjëherë sektorit ku ishin akomoduar tifozët bardheblu për të festuar me ta. Dhe vetë lojtari, për “Panorama Sport”, thotë se ai gol shkon vetëm për ta. “Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar në të gjitha aspektet, pasi përballë kishim një ekip që i ka hapur punë shumë ekipeve. Jam i lumtur që kam shënuar. Ishte një gol morali mbi të gjitha, por që na shërbeu për të blinduar fitoren. Goli im sigurisht që shkon vetëm për tifozët e ‘Tironës’, jo më kot shkova direkt tek ata për të festuar”, përfundoi mesfushori.

Ankesë e tifozëve fierakë, bojkotojnë kampionatin
Fill pas ndeshjes, tifozët fierakë kanë njoftuar se nuk do të jenë më të pranishëm në stadium. Kanë vendosur të bojkotojnë kampionatin, teksa akuzojnë hapur forcat e rendit për sjelljen me dy standarde dhe klubin për dështim në organizim. “Një takim shumë ‘interesant’ ky i sotmi (djeshmi) ku spikatën policia dhe FNSH, duke terrorizuar tifozërinë fierake e pranishme sot në stadium, ku u pa qartë qe tifozëria e Tiranës kishte materiale piroteknike, të cilat sipas rregullores së FSHF janë të ndaluara. Policia në atë krah qëndroi shumë e qetë dhe indiferente, ndërsa nga ne ushtrua dhunë sistematike ndaj anëtareve të Brigadës C, që përkrahin gjithmonë Apoloninë. Më konkretisht, një organizator dhe dy minorenë u shoqëruan padrejtësisht drejt komisariatit të Fierit. Kërkuam shpjegime, por gjithçka mbeti mister. Një turp i madh i ngelet klubit dhe stafit të ekipit të Apolonisë, për organizimin në nivel amator dhe të njëanshëm. Me këtë deklaratë ne kërkojmë zyrtarisht, që asnjë tifoz fierak mos të hyjë në stadium në shenjë proteste. Bojkot për gjithë kampionatin që duket hapur se është një farse, dhe i trukuar që në hedhjen e shortit”, shkruajnë tifozët fierakë, që në fund të këtij postimi shtojnë: “RIP Apolonia, RIP FSHF, RIP futbolli shqiptar!”
MIKEL MBRIÇAJ





www.minuta90.com