Marota: Interi, rivali i vetëm i Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2015 | 10:19

Marota: Interi, rivali i vetëm i Juventusit

Marotahtatë fitore radhazi në kampionat e kanë afruar Juventusin vetëm tri pikë nga kreu i renditjes. Këto rezultate kanë sjellë buzëqeshjen në kampin bardhezi. Për ta konfirmuar këtë është drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i cili i jep meritat të gjithë skuadrës për këtë përmbysje të madhe. Në fjalën e tij për mediat italiane, Marota thotë se rivali i vërtetë dhe i vetëm i Juventusit për titullin kampion është Interi. Ai ka vlerësuar zikaltrit si një nga ekipet më të forta taktikisht dhe ka thumbuar Mançinin, duke thënë se fshihet pas deklaratave.

Përmbysja

“Meritat janë për të gjithë klubin, duke filluar që nga presidenti. Forca e madhe e Juventusit ishte qetësia dhe vlerësimi i drejtë i situatave. Nuk u nxituam asnjëherë pas një humbjeje apo një fitoreje, por i dhamë kohën e duhur të gjithë skuadrës dhe trajnerit Alegri”.

Merkato

“Nuk kemi shumë gjëra për të riparuar në këtë merkato. Në repartin mbrojtës kemi futbollistë si Barzalji, Kielini dhe Bonuçi, pa harruar këtu edhe Ruganin, që është një mbrojtës shumë i talentuar. Problemet më të mëdha i kemi në mesfushë, por merkato e janarit nuk të jep shumë zgjidhje. Është vështirë të gjesh lojtarë që janë në lartësinë e Juventusit”.

Manxukiç

“Është lloji i lojtarit që kërkonim. Një lojtar me forcë fizike dhe temperament të lartë, ashtu si sulmuesit e vjetër. Kishte nevojë për kohë që të ambientohej. Morata? Ka bërë ndeshje shumë të mira në Champions, që është një nga kompeticionet më të vështira. Duhet të rritet ende si lojtar, por kemi besim tek ai”.

Interi  

“Mançini kërkon të fshihet kur thotë se “lufta” deri në fund të kampionatit do të jetë mes Fiorentinës, Napolit dhe Juventusit. Unë them që Interi është absolutisht rivali ynë për titull. Ka bërë histori dhe ka një trajner shumë të zotin, i cili është mjaft inteligjent. Interi është ekip cinik dhe e meriton vendin e parë në kampionat. Edhe duke shënuar pak, ka arritur të marrë fitore dhe të grumbullojë pikë shumë të vlefshme. Me pak gola ka arritur të kryesojë dhe ka shumë ekuilibër taktik, pasi pësojnë pak gola dhe kjo është diçka shumë pozitive në kampionatin italian. Mendoj se ata janë ekipi për t’u mundur në këtë sezon”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"