Mane dhe De Ligt ngelin në klasë, Myler pa busull. Ja 5 fajtorët e krizës që po kalon Bajerni i Mynihut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 17:11

Mane dhe De Ligt ngelin në klasë, Myler pa busull. Ja 5 fajtorët e krizës që po kalon Bajerni i Mynihut

Kanë kaluar 7 javë nga fillimi i Bundesligës dhe ky sezoni i ri ka marrë nuancat e një kameleoni pas çdo ndeshjeje. Surpriza e vërtetë vjen nga ata, të cilët monotoninë e kishin kthyer si pjesë të identitetit të tyre pas 10 kampionatesh të fituara rresht. Situata e klubit më të titulluar në Gjermani po kalon një krizë “të pakuptimtë”, marrë në konsideratë atë fillimi sezoni të frikshëm.

bajern

Në këtë situatë, rekordmenët gjermanë janë kthyer në tabelë qitjeje mbi ecurinë e 4 ndeshjeve të fundit në Bundesligë, nga rezultojnë 3 barazime dhe 1 humbje. 12 pikë në 7 javë, e përkthyer në vendin e 5-të, edhe pse golat nuk janë kursyer duke u ndalur në kotën e 19 realizimeve, kundrejt 6 të pësuarve.

Kaq ka mjaftuar për të ndezur sirenat e alarmit, se ajo makinë, e cila funksiononte në mënyrë perfekte, ka filluar të humbasë ritmin. Por çdo pasojë ka shkaqet, dhe për ekipin nga Mynihu ata mund të identifikohen lehtë në varësi të asaj çka pritej dhe ajo që po ndodh.

Ja 5 arsyet kryesore se përse po dështon Bajerni në Bundesligë:

1-MATAJS DE LIGT: 23- vjeçari rezulton blerja më e shtrenjtë e armatës bavareze me 67 milionë euro të arkëtuara nga Juventusi për shërbimet e mbrojtësit holandez. “Tulipani” ka zhvilluar vetëm 4 takime si titullar në kampionat dhe ka tundur vetëm në një rast portën kundërshtare, konkretisht në goleadën ndaj Bohumit me shifrat 0-7 në transfertë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, e cila vështirë të përmbushë pritshmëritë dhe koston e harxhuar për të.

DE LIGT 1

Lojtari në fjalë është kthyer në protagonist negativ gjatë ndeshjeve të fundit.

Në barazimin ndaj Shtutgartit, 23-vjeçari shkaktoi penalltinë e barazimit në minutat e fundit, ndërsa në disfatën ndaj Augsburgut ai nuk arriti të mbyllte hapësirat në kohë nga goditja e Berishës, e cila në fund do të rezultonte edhe goli i fitores.

Shkurt, 4 pikë të humbura në dy ndeshje vetëm në sajë të gabimeve të mbrojtësit holandez.

2-SADIO MANE: Senegalezi u transferua nga Liverpuli në drejtim të “Allianz Arena”-s për vlerën e 32 milionë eurove. 30-vjeçari u mendua si zëvendësuesi i bomberit Robert Levandovski, por që mbeti vetëm hipotezë. Sadio ka luajt me kohë të plotë vetëm 2 ndeshje, ndërsa 5 të tjera kanë ardhur si zëvendësues.

mane

Në 7 javë bilanci i tij rezulton me 3 gola dhe 0 asiste. Fakt është se 392 minuta kanë kaluar pa gol në kampionat. Shëmbëllimi më i mirë i gjendjes së sulmuesit afrikan rezulton paraqitja në dy ndeshjet e fundit, i vlerësuar me notën 5 si lojtari më i dobët i sfidave.

3-TOMAS MYLER: 33- vjeçari është lojtari më i vjetër në ambientin bavarez, aty ku eksperienca i ka shërbyer, por ama jo në këtë sezon.

Statistikat e tij nuk lënë vend për interpretim, 408 minuta pa gol, saktësisht në javën e dytë përballë Volfsburgut do të koincidojë me golin e tij të parë dhe të vetëm në këtë sezon në kampionat.

MYLER

Nëse flasim për asiste, situata shkon drejt absurdes me 477 minuta pa servirur asnjë pasim përcaktues ndaj shokëve të skuadrës. Fakte të tilla na tregojnë se mesfushori gjerman ndodhet shumë larg performancës së tri viteve të fundit në Bundesligë, në rolin e asistuesit më të mirë.

Nëse përfshijmë edhe përballjet e Champions-it, plus atë të Kupës së Gjermanisë, bilanci orientohet drejt të paimagjinueshmes, me 663 minuta pa e ndier nuhatjen e golit.

4-HASAN SALIHAMIXHIÇ: Statistika e Matajs de Ligtit dhe Sadio Manesë si transferimet më të rëndësishme, nuk ka shfaqur garancinë e nevojshme në repartet respektive.

SALIHAMIXHIC

Por kjo nuk është e gjitha, pasi Hasani ndërhyn shpesh në deklarata, të cilat nuk i shkojnë për shtat pozitës së tij. 45-vjeçari vazhdon më tej me prononcimet mbi ecurinë e lojtarëve, para, gjatë dhe pas ndeshjeve, detyrë, e cila i takon vetëm përgjegjësit kryesor, trajnerit.

5-JULIAN NAGELSMAN: Ish-trajneri i Lajpcigut firmosi kontratë 5-vjeçare në verën e 2021-shit si opsioni i duhur për të zëvendësuar denjësisht Hansi Flikun. Në sezonin e ri evidentohet një fakt i çuditshëm, ku nga 20 lojtarë në dispozicion, tekniku 35-vjeçar i ka aktivizuar të gjithë.

NAGELSMAN

Kjo taktikë nxjerr në pah një trajner revolucionar, por nga ana tjetër problemi shtrohet në përzgjedhjen e 11- shes fikse. Të vetmit lojtarë, të cilët kanë qenë prezentë si titullarë në 7 ndeshjet e para të Bundesligës janë Nojer dhe Kimish, pjesa tjetër ka kaluar në sitën eksperimentale të Julianit.

Nëse ndalemi në aspektin teknik, sërish hasim luhatje, jo vetëm në vendosjen e titullarëve, por edhe në rreshtim.

Skemat e Nagelsmanit variojnë me 4-2-2-2, 4- 4-2 dhe 4-2-3-1. Moduli ndryshon thuajse çdo javë midis opsioneve të mësipërme, e kjo situatë e përmbyll tablonë se përse Bajerni po lundron në ujëra të trazuara.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"