Mançester Junajtidit po i soset durimi, Kristiano Ronaldo vazhdon të kërkojë klub të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 9:19

Mançester Junajtidit po i soset durimi, Kristiano Ronaldo vazhdon të kërkojë klub të ri

Vazhdojnë zërat që e shohin Kristiano Ronaldon larg “Old Trafford” sezonin e ardhshëm.

ronaldo

Menaxheri i portugezit, Zhorzh Mendesh, vijon bisedimet me klubet e tjera për t’ia ofruar klientin e tij të luksit në merkaton e kësaj vere sipas gazetarit Fabricio Romano.

“Djajtë” kanë bllokuar çdo tentativë deri tani për largimin e sulmuesit 37-vjeçar, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin, ndërsa trajneri i ri, Erik ten Hag, i ka bërë planet me golashënuesin më të mirë të skuadrës sezonin e shkuar (24 gola).

Por për ekspertin italian të merkatos, CR7 i cili e pëlqen stilin e lojës së teknikut holandez, vazhdon të meditojë një largim të mundshëm duke parë se ata nuk do të luajnë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, por edhe vështirësitë në ndërtimin e skuadrës, ndërkohë që zyrtarizimin e blerjes së parë në merkato nuk e kanë bërë ende.

Por në ditët e ardhshme pritet të zyrtarizohet transferimi i mesfushorit të Barcelonës, Frenki de Jong, Kristian Eriksenit dhe mbrojtësit të majtë të Fejnordit, Tajrell Malasia.

Ronaldo kërkon transferime ambicioze për ta rikthyer klubin në nivelin që i takon, ndërsa menaxheri Mendesh, është konfirmuar deri tani se ia ka ofruar sulmuesin e tij Çelsit (pati një takim me pronarin e ri Tod Bohli në Portugali) dhe Bajernit.

Junajtid deri tani ka përgënjeshtruar çdo zë merkatoje, por nëse Kristiano do të vazhdojë të punojë për një largim nga “Teatri i Ëndrrave”, 20 herë kampionët e Anglisë nuk kanë ndërmend ta mbajnë kundër vullnetit të tij.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"