Maldini tregon projektin e rilindjes së Milanit: Berluskoni na këshilloi, Ibra do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 0:18

Maldini tregon projektin e rilindjes së Milanit: Berluskoni na këshilloi, Ibra do të…

Përkëdheljen e fundit në rend kronologjik ia bëri Rud Gulit dhe jo më larg se dita e shtunë. “Për një lojtar, të dijë që e kërkon Maldini ndryshon gjithçka. Ai është historia e Milanit”. Kapiteni legjendar i “Djallit” mbetet mishërimi më i pastër i milanizmit edhe sepse është një traditë familjare me një histori 70-vjeçare.

MALDINI

Dhe nuk është çudi që Festivali i Sportit në Trento e certifikoi edhe njëherë tjetër dashurinë e popullit kuqezi për atë që sot është drejtori i Sektorit Teknik të Milanit. Në një intervistë të gjatë nga skena e Teatrit Social të Trentos, drejtuesi kuqezi flet praktikisht për gjithçka…

Si ishte titulli i parë për Maldinin si drejtues?

Shumë i rëndësishëm dhe i ndryshëm. Fakti që ti nuk luan nuk e shkarkon adrenalinën e akumuluar. Ke tension përpara ndeshjes, por nuk ke mundësinë të luash. Vetëm vështron dhe është një punë krejtësisht e ndryshme. Kur erdha këtu në vitin 2018, duhej ende të kisha një vizion të përgjithshëm të asaj që duhet të jetë një drejtues. Prej atëherë, kam fituar një përvojë të rëndësishme. Kanë qenë 3 vite të bukura, një projekt që i ka dhënë entuziazëm të madh klubit dhe tifozëve.

Cilat janë momentet e titullit që të kalojnë në mendje?

Kur firmosa për Milanin, në ato momentet e vështira nuk ndihesha gati dhe as i përshtatshmi. Leonardo më mësoi me të vërtetë shumë, nga futbolli dhe jeta. Pastaj dita e ndeshjes së fundit kundër Sasuolos plus festa në sheshin Duomo.

Ju e nisni me një avantazh, sepse lojtarëve u lë shenjë kur i telefonon Paolo Maldini?

Nis me këtë avantazh, por nuk është e thënë vetëm prej faktit se unë kam qenë pjesë e historisë së Milanit. Avantazhi është pikërisht i lidhur me këtë klub, që ishte i madh në vitet 50-60, ishte i madh në fund të viteve 70 dhe ishte i madh me Berluskonin.

Ka vështirësi menaxhimi i sotëm?

Vështirësitë janë të ndryshme, sepse është një projekt ndryshe nga ai fitues i viteve të arta të Berluskonit. Vjen nga vite të vështira në të cilat nuk kualifikohesh në Champions, duhet t’i bindësh lojtarët për një projekt të besueshëm dhe fitues, por ridimensionuar në kosto. Ndihem pak garanti i projektit kuqezi dhe e ndiej.

Cili është kujtimi i debutimit tuaj?

Shumë i largët, kanë qenë vite të bukura. Adoleshenca është një moshë fantastike. Në moshën 16-vjeçare e gjeta veten burrë në një ambient plot me të tillë. Di çfarë kam vuajtur, pasiguritë e mia, i kujtoj mirë sakrificat.

Si e përjetuat derbin e shkurtit të shkuar?

Zhiru është një kampion dhe pikë. Ka fituar një Botëror, luan me kombëtaren, është një profesionist ekzemplar. Karakteristika kryesore e një kampioni është se ndihet i përulur dhe njeri skuadre. Një kampion e tregon veten kur është nevoja.

Tani misioni është suksesi në Champions?

Kemi bërë ndonjë premtim të veçantë? Nuk ka asnjë premtim. Premtimin mund të ta bëj unë: ai është që të mos shkojmë përtej kufijve financiarë. E gjitha kjo nis përmes një ristrukturimi të të gjithë futbollit italian në përgjithësi. Diferenca me futbollin anglez është gati e papërballueshme.

Diferenca e buxheteve na vendos në vështirësi. Skuadra e fundit e klasifikimit në Angli ka një buxhet superior. Ne kemi armë të tjera, siç është historia dhe më shumë ide. Kufiri i sigurt i viteve të ardhshme është ai i të ardhurave/investimeve. Nuk do të shkojmë përtej mundësive tona.

Jeni gati për mbrëmjet e mëdha të Champions-it?

Dëshira, vendosmëria dhe ambiciet janë. Unë dua një skuadër ambicioze, jemi Milani dhe historia flet për ne.

Këmbëngulët fortë për De Ketelaren?

Merkato është dinamike. Përpara Ketelares provuam të transferonim Botmanin, i cili do të kishte ezauruar buxhetin për lojtarë të tjerë në sulm. Në këtë pikë të ecurisë sonë duhet të marrim lojtarë mesatarë, por me të ardhme të madhe dhe Çarls është njëri prej tyre. Ka nevojë për kohë. E di që tifozët dhe media e presin, por ne duhet të presim.

Kujtoni 6 muajt e parë të Platinisë.  Një lojtar i datëlindjes 2001 nuk është ende gati për të shpërthyer në një klub si Milani dhe ekuilibrin që mungon nga jashtë duhet t’ia japim ne. Tek ai, kemi pak dyshime.

Kujtoni pak blerjen tuaj të parë…

Të gjithë mendojnë Hernandez, por në të vërtetë blerja e parë e vërtetë ishte Kruniç. Dhe pastaj shkova në Ibiza te Teo. U përpoqa të përdorë fjalë që do të përdorja dhe me tim bir. E ndiej pak këtë raportin baba fëmijë me lojtarët. Përpiqem t’u jap mbështetje si djem përpara sesa si futbollistë. Më kujtohet që i kam vuajtur pasiguritë e mia. Nëse do të kisha dikë që ndonjëherë të më mbështeste, do të isha më mirë.

Çfarë mendoni për Piolin?

Me Stefanon kam luajtur te U-21 shumë vite më parë. Nuk e dija që ai kishte një energji kaq infektuese në fushë. E njihja në aspektin teknik, moral dhe taktik, por jo me një energji të tillë. Çdo ditë transmeton diçka të shkëlqyer. Ndan projektet tona dhe strategjitë, nuk gjen alibi. Kemi parë një lider të lindur dhe të mendosh që konsiderohet një trajner normal. Raporti është çimentuar, diskutojmë, zihemi. Stefano është një gjaknxehtë. Më në fund ai gjeti ambientin ku mund të tregojë me të vërtetë si është si njeri dhe si trajner.

Si po shkon rikuperimi i Ibrës?

Di që riaftësimi është i vështirë. Por kur shkuam për t’i propozuar rinovimin i thamë se kishim nevojë për dikë që të konsiderohej ende 100% futbollist. Dhe ai nisi me atë ide, do që të rikthehet të luajë. Ka pak frikë se mund të detyrohet ta mbyllë karrierën, por besoj se është normale.

Çfarë do të bëj më pas?

Do të bëjë Zlatanin, ai është roli i tij.

Çfarë do të thotë derbi për ju?

Ka një rivalitet dhe respekt të madh. Milano të mëson këtë, të respektosh kundërshtarin. Unë e përjetoj me qetësi.

Për çfarë ka nevojë Milani në janar ose qershor? Për një sulmues të ri?

Do të tregohemi të kujdesshëm në atë që mendojmë se kemi nevojë, por duhet të shohim si do të shkojë ky sezon.

Shumë është përfolur për marrëdhënien tuaj me Galianin. Cili është raporti juaj sot?

Po ju tregoj këtë… Arbitri që nuk na kishte akorduar golin me Specian pastaj arbitroi menjëherë Monzan. Galiani shkoi tek ai dhe i kërkoi llogari: “Si e anuluat atë gol?” Me Adrianon ka pasur ndonjë keqkuptim, ndoshta kishim një vizion pak dritëshkurtër se cili ishte tjetri, por tani raporti është fantastik. Është një drejtues i madh, i uroj jetë të gjatë Galianit, i detyrohemi shumë.

Keni komunikuar me Berluskonin?

Më telefonoi së fundmi për të më këshilluar për një blerje, por nuk mund të them se për kë dhe as që e transferuam në fund. I telefonon shpesh Piolit dhe e këshillon që të mos lejojë që portieri të luajë shumë me këmbë. Dhe të mendosh që Menja është nga mbrojtësit tanë më të mirë me këmbë, një portier modern, një pinjoll, është ambicioz. Ishte një transferim shumë i goditur.

Përveç ofertës për Leaon, cila ka qenë oferta më e pahijshme që ju ka ardhur për një lojtar dhe që e keni refuzuar?

Një klubi të huaj i thashë “as mos u prezantoni fare” (flet për Hernandezin). Është një lojtar i nivelit të lartë. Por jo vetëm për të, por edhe për të tjerë. Por ata erdhën sidoqoftë. Situata e qëndrueshme e klubit tonë për momentin nuk e bën të nevojshme një shitje, sepse i kemi llogaritë në rregull. Ne më të fortët duam t’i mbajmë, pastaj është e qartë që askush nuk është i pashitshëm.

Çfarë mendoni për kampionatin e këtij sezoni?

Nuk di çfarë të pres, është një kampionat i çuditshëm. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Do të kemi një pushim gjatë Botërorit. Mendoj se skuadra jonë është më e fortë se sezonin e shkuar. Jemi kampionët në fuqi dhe përgjegjësitë nuk duhet të na trembin.

Çfarë mendoni për vështirësitë e Interit dhe Juves?

Ndodhin. Interi i vitit të shkuar bëri një sezon të madh. Nuk e di, ndodh. Falë Zotit për ne shkoi mirë. Kam shumë gjëra për të menduar dhe e kam të vështirë të flas për rivalët. Kuptoj edhe vështirësitë ekonomike.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"