Majk Din feston 500 ndeshje në Premier Ligë: Lojtarët e pëlqejnë stilin tim, nuk jam robot! Flas dhe bëj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 19:06

Majk Din feston 500 ndeshje në Premier Ligë: Lojtarët e pëlqejnë stilin tim, nuk jam robot! Flas dhe bëj

Majk Din, arbitri i parë në historinë e Premier Ligës që festoi 500 ndeshje në sfidën e djeshme Arsenal-Shefilld Junajtid, është një nga personazhet më karizmatike të gjykimit në Angli. I përshkruar si një arbitër revolucionuar nga ish-gjyqtari më i mirë në ishull, Mark Klatenburg, 51- vjeçari është një figurë shumë e dashur, veçanërisht prej tifozëve për mënyrën sesi gjykon, shumë larg seriozitetit të xhaketës së zezë tradicionale.

Majk-Din

Mjafton një kontroll i thjeshtë në “YouTube” dhe të shfaqet një katalog me momente argëtuese nga arbitrimi i tij, që nga mimikat e çuditshme me futbollistët, deri te gjestikulacionet e forta me gjuhën e trupit. E fundit nga bëmat e tij është kur u fiksua nga kamera ndërsa pyeste asistentin e tij në ndeshjen e 1 janarit, Sauthempton kundër Totenhemit: “Kush dreqin është ky?” – pasi një person i panjohur i shtrëngoi dorën.

Duke folur për stilin e tij të gjykimit, Din tha për “DailyMail”: “Lojtarët më përgjigjen me mënyrën sesi jam dhe me kalimin e viteve, ata e kanë pranuar stilin dhe personalitetin tim. Nuk kam qenë kurrë një gjyqtar ‘robotik’. Mundohem të jem i afrueshëm me lojtarët dhe t’ua shpjegoj vendimet e mia nëse ata duan shpjegime. Komunikimi që ne kemi me ta është shumë i rëndësishëm”.

Njeriu që bën humor me lojtarët duke u fshehur edhe topin nën fanellë dhe që akuzohet se feston golat e Totenhemit, shton: “Nuk kam asnjë problem me publicitetin e keq që marr, sepse është pjesë e lojës që ne duam. Unë u flas pak arbitrave gjatë kthimit në shtëpi pas ndeshjeve dhe përpiqem që të mos e vras shumë mendjen për vendimet që marr, të mira apo këqija qofshin. E marr çdo vendim në maksimumin e aftësive të mia”.

Din, i cili gjykon në Premier Ligë prej vitit 2000, e cilëson ish-trajnerin legjendar të Junajtidit, Sër Aleks Ferguson, si më të mirin, por edhe të vështirin që i është dashur të përballet. Tifozi ultras i Tranmeres (shkon në tribunë dhe bën tifo si i çmendur për ekipin e tij të zemrës), rivalin më të afërt sa i përket rekordit të tij ka Martin Atkinsonin (397 ndeshje). “Kur nisa në vitin 2000 nuk kisha një objektiv për numrin e ndeshjeve që doja të arrija. Në atë kohë, mosha e pensionit ishte 48 vjeç, por sot fatmirësisht nuk ka më limit moshe për gjyqtarët”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"