Lushnja po reagon, 4 pikë në 180 minuta,. Trajneri Magani: U futëm në “lojë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 21:15

Lushnja po reagon, 4 pikë në 180 minuta,. Trajneri Magani: U futëm në “lojë”

Lushnja është futur në “lojë”. Me vonesë, por është futur. Në 180 minutat e fundit po flet me lojë dhe rezultate. I qetë deri diku është edhe Gugash Magani, që më në fund po e sheh ekipin e tij më kërkues në fushë.

magani

I ka pranuar gjithnjë defektet, por shpeshherë përmendte faktorin kohë. Dhe duket se për këtë kishte nevojë. Grupi jo vetëm po kolaudohet, por edhe lojtarët janë futur në ritmin e duhur. Pas atij barazimi pa gola në Berat, erdhi edhe fitorja me Luzin. Vërtet kanë grumbulluar pak pikë, por situata po shkon drejt përmirësimit. Këtë e thekson edhe vetë trajneri, në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. “Po futemi në ritmin e duhur. E thënë edhe më parë, që kishim deficite.

Dy-tre lojtarë të cilët kanë vuajtur dëmtime dhe po aq të tjerë erdhën më vonë. Edhe kjo pauzë na erdhi në ndihmë. E shfrytëzuam maksimalisht. Ishte një javë vërtet e ngarkuar kjo e fundit. I kemi mëshuar më shumë anës fizike, pa lënë prapa dhe atë taktike, që është dhe kryesorja. Nuk planifikuam as miqësore për këtë shkak, pasi jemi stërvitur nga dy herë në ditë. Punuam edhe paraditen e së shtunës, ndërsa e diela ishte pushim. Një mundësi për të rigjeneruar energjitë dhe qenë gati për ndeshjet që na rezervon e mërkura dhe e diela”, tha fillimisht peqinasi i stolit të verdhejeshilëve.

ROTACIONI – Në fillim do të luajnë për llogari të Kupës me Labërinë, në fushën e Plugut, ndërsa në fundjavë kanë Bylisin për kampionatin. Trajneri do ta shfrytëzoj ndeshjen e parë si një test për Kategorinë e Parë. “Padiskutim, që është test. Do të bëjmë një rotacion të vogël. Kemi besim te lojtarët që kemi, por për momentin nuk kanë marrë minuta, pasi vetëm 7 ndeshje kanë kaluar. Në fakt, pjesa më e madhe e skuadrës ka marrë minuta. Për të tjerët do të bëjmë një rotacion të vogël, jo shumë të madh.

Edhe Kupën do ta respektojmë si kampionatin. Synimi është që të kualifikohemi. Kemi një ndeshje që do ta zhvillojmë në shtëpi. Do ta bëjmë në fushën tonë stërvitore. Pse jo, do të jetë edhe një test i mirë për ndeshjen me Bylisin në kampionat. Për këtë do të flasim më vonë”, përfundoi Magani.

ALBAN ALUSHI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"