Lushnja me vetëm një afrim, skuadra në siklet edhe për fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2021 | 12:06

Lushnja me vetëm një afrim, skuadra në siklet edhe për fushë

Lushnja ka hyrë në javën e tretë të përgatitjeve. Nën drejtimin e Ilir Gjylës skuadra ka marrë ngarkesa maksimale, ndërsa mbetet në pritje të vendimit të FSHF-së për rinisjen e sezonit. Megjithatë, mungesa e infrastrukturës po i krijon jo pak siklete.Lushnja

Verdhejeshilët po punojnë në aneksin e stadiumit, në kushte aspak normale. Duke qenë se nuk kanë fushë tjetër stërvitore dhe “Roza Haxhiun” duhet ta ruajnë për ndeshjet zyrtare, lojtarët po sajohen me aq sa munden. Lushnjarët kanë nevojë emergjente për ndërhyrje në terrenet sportive, por askush nuk po merr mundimin që t’i japë zgjidhje. Për sa i përket merkatos, ekipi nuk ka ndryshuar shumë.

Klubi ka bërë vetëm një afrim, pikërisht qendërmbrojtësin Donald Bejko dhe janë larguar zyrtarisht braziliani Luis da Silva dhe mbrojtësi Renato Dervishi. Por, halli më i madh u vjen nga Vilfor Hysa. Sulmuesi ka kërkuar “divorcin” e parakohshëm, ndonëse ka një kontratë deri në mbyllje të këtij sezoni. Ai vazhdon të mos stërvitet, në një kohë që vetë trajneri e llogarit të domosdoshëm. Lushnjarët e mbyllën fazën e parë në vendin e tretë me 12 pikë, një më pak se Besa e vendit të dytë. Fazën e dytë të kampionatit, verdhejeshilët do ta nisin në transfertë me Besën, që pritet të luhet fundjavën e ardhshme.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"