Lushnja kundër tabusë, 13 vite që nuk e thyen Vllazninë. Mbrojtësi: Është ndeshje deçizive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2018 | 19:12

Lushnja kundër tabusë, 13 vite që nuk e thyen Vllazninë. Mbrojtësi: Është ndeshje deçizive

Lushnja ka 13 vjet që nuk fitojnë përballë Vllaznisë në “Roza Haxhiu”. E fundit herë që kanë shijuar suksesin përkon me 12 marsin e vitit 2005, kur verdhejeshilët mposhtin shkodranët me shifrat 2-0, falë golave të Arlind Norës dhe Klodian Arbrit. Që prej asaj kohe dhe deri më tani, që të dyja këto skuadra janë përballur edhe gjashtë herë të tjera në shtëpinë, përfshi dhe një përballje në fushën asnjanëse të Fierit.

Lushnjarët kanë marrë vetëm një barazim i arritur më 21 shtator 2013, me rezultatin 1-1, pas golave të Tafilit për Vllazninë dhe Cankës për Lushnjën. Pesë ndeshje janë fituar nga shkodranët, e fundit më 10 shtatorin e vitit të kaluar. Sakaq, kuqeblutë fituan 2-0 gjatë fazës së parë, me autogolin e Gavës dhe golin e Hasanit, në ndeshjen e luajtur në Fier.

Lushnja-Vllaznia

PREMÇI – Me 10 pikë të grumbulluara, nga pesë për secilën fazë, Lushnja mbylli pjesën e parë të këtij sezoni. Prej javësh kanë “blinduar” fundin, megjithatë shpresat për të siguruar mbijetesën ekzistojnë ende. Pas përfundimit të dy fazave, verdhejeshilët kanë 7 pikë nga zona e shpëtimit, pra vendi i tetë që mbahet nga Teuta dhe 5 nga Vllaznia që është e parafundit. Dy ekipet e fundtabelës do të përballen këtë të shtunë në “Roza Haxhiu”. Një ndeshje shumë domethënëse për vazhdimësinë e Lushnjës. Një nga lojtarët më të mirë te Lushnja për momentin, qendërmbrojtësi Elvis Premçi, shprehet se Lushnja do bëjë të pamundurën për t’ia dalë.

“Pas dy rezultateve pozitive është e kuptueshme që skuadra duhet të dalë te fitorja. Është një ndeshje me karakter deciziv që kërkon kujdes të madh nga ana jonë. E rëndësishme është të zbatojmë detyrat dhe të japim maksimumin tonë. Skuadra filloi të përgatitet me synimin për ta fituar këtë takim”, është shprehur mbrojtësi për “Panorama Sport”.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"