Lushnja e Vora njohin vetëm shenjën “X”, Dragoj: Synojmë fitoren të dielën në “Roza Haxhiu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 21:20

Lushnja e Vora njohin vetëm shenjën “X”, Dragoj: Synojmë fitoren të dielën në “Roza Haxhiu”

Lushnjarët këtë Fundjavë do të luajnë një ndeshje të fortë në shtëpi. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani do të presë në “Roza Haxhiu” Vorën e vendit të tretë. Verdhejeshilët kanë dy javë pa fituar.

erjon dragoj lushnja

Ata kanë marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit. Me Vorën mendojnë për tri pikë, si e vetmja alternativë për të kapur Korabin që është i fundit në zonën “play off”. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, një nga lojtarët e afruar gjatë merkatos së dimrit, pogradecari Erion Dragoj deklaroi: “Po përgatitemi për ndeshjen e radhës me Vorën.

Është një kundërshtar i fortë dhe jo më kot është në vendin e tretë. Ne jemi një ekip që punojmë mirë dhe e kërkojmë rezultatin. Bëmë një ndeshje shumë të mirë me Kastriotin dhe meritonim të fitonim. Personalisht në këtë takim nuk më deshi fati, pasi traversa e portës më mohoi golin.

Kështu e ka futbolli, ndaj që nga fillimi i javës po mendojmë e punojmë vetëm për ndeshjen me Vorën. Duhet të përgatitemi fort, që të zhvillojmë një ndeshje të mirë, pasi po kalojmë edhe një moment të tillë. Le ta shfrytëzojmë situatën për ta fituar këtë takim”.

Precedentët- Kjo do të jetë ndeshja e katërt zyrtare midis Lushnjës dhe Vorës, ku asnjëra nga dy skuadrat nuk e ka shijuar fitoren e parë, pasi të tre sfidat janë mbyllur barazim. Në sezoni 2021-2022

Lushnja barazoi në shifrat 1-1 me Vorën në “Roza Haxhiu”, ndërsa takimi i fazës së dytë i zhvilluar në Pezë-Helmës u mbyll 3-3. Ndërsa në këtë sezon, takimi i parë i zhvilluar në Vorë ka përfunduar në shifrat 2-2.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"