Luftëtari “shqetëson” Bylisin, mallakastriotët rrezikojnë shumë për sfidën me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 23:12

Luftëtari “shqetëson” Bylisin, mallakastriotët rrezikojnë shumë për sfidën me Tiranën

Bylisi tashmë është i përqendruar totalisht te sfida e së dielës në Gjirokastër me Luftëtarin, e cila konsiderohet mjaft delikate në lidhje me synimet e skuadrës së trajnerit Veljko Dovedan. Tetë javë pa fitore është një ecuri që ka kohë të gjatë që nuk ndodh në Ballsh. Por, ajo që të bën më shumë përshtypje në radhët e Bylisit janë kartonët e shumtë.

JORGJI BYLIS

Nga mungesa e fitoreve, duket se skuadra është bërë edhe më agresive në fushë. Në ndeshjen e fundit në Laç kartonët për lojtarët e Bylisit ishin pa “mëshirë” nga kryesori Juxhin Xhaja, ndërsa duhet theksuar se aktualisht ka 7 futbollistë që kanë nga tre kartonë të verdhë. Ujka u ndëshkua në Laç dhe plotësoi numrin katër të kartonëve, ndërsa tashmë janë me nga tre kartonë lojtarët titullarë dhe më konkretisht: Janku e Peposhi në mbrojtje, në mesfushë Murataj e Mëllugja apo dhe në sulm Guindo, Qardaku e Mozone.

Në çdo javë në radhët e Bylisit ka pasur mungesa, si për shkak dëmtimesh, ashtu edhe pezullimesh nga kartonët. Kësisoj, për javën e 27-të që Bylisi pret Tiranën, 7 lojtarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm nesër në transfertën e Gjirokastrës. Në këtë pjesë të rëndësishme të sezonit, kur skuadra lufton në dy kompeticione, kampionat dhe Kupën e Shqipërisë, trajneri Dovedan e do skuadrën e plotë.

Megjithatë, ndaj Luftëtarit do të rikthehen Goxhaj dhe Ndreca, ndërsa kanë ardhur në formën e tyre edhe argjentinasi Munjoz apo uruguaiani Mozone, i cili e ka justifikuar me tre golat që ka shënuar deri më tani. Të dy lojtarët ofensivë, i japin më shumë cilësi skuadrës ballshiote, që në këtë pjesë të dytë të sezonit, ka lënë jo pak pikë. Ai barazim pa gola në sfidën me Flamurtarin në Ballsh vazhdon të qahet ende te Bylisi.

ERJON SALIU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"