“Lojtarëve ua kam bërë të qartë sesa vlen…”, Magani: Jemi miq me lezhjanët, por dua të fitoj për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 10:49

“Lojtarëve ua kam bërë të qartë sesa vlen…”, Magani: Jemi miq me lezhjanët, por dua të fitoj për Besën

Besa bëri gjithçka mirë në start ndaj Tomorit, por shpërdoroi shumë ku të paktën tre gola ishin të sigurt, por në fund takimi u mbyll në shifrat 0-0. Trajneri Gugash Magani u shfaq i mërzitur pas atij barazimi, por bëri ndarjen të prerë mes lojës e rasteve të shënimit.

MAGANI

Duket se pikërisht loja është ajo që e ka kënaqur Maganin dhe të besojë se ky grup i ka të gjitha kapacitetet që lojën e mirë ta shoqërojë me gola. Ishte ky shkaku që në analizë ai nuk ngriti tonet, por i gjuajti me “pambuk” sulmuesit e tij. Sot verdhezinjtë do të udhëtojnë drejt Lezhës, ku i pret Besëlidhja, një ekip ekspert tashmë i Kategorisë së Parë.

Gugash Magani nuk druhet të thotë se i ka miq shumë futbollistë të skuadrës lezhjane, stafin dhe presidentin Ndoka.

Ndaj, trajneri peqinas i Besës ka një vlerësim maksimal për kundërshtarin dhe kërkon vlerësim maksimal nga të tijtë në këtë sfidë.

Por, sipas trajnerit Magani, ajo që pritet të ndodhë në fushë është krejtësisht diçka tjetër nga pritja e lezhjanëve miqësia e respekti reciprok.

“Njoh shumë futbollistë, por edhe drejtues të Besëlidhjes. Ruaj respekt të veçantë për presidentin Noka. Jam i nderuar që i kam miq, por në fushë jam trajner i Besës dhe dua të jem unë fituesi i kësaj përballjeje.

Besëlidhja ka ruajtur grupin dhe është një kundërshtar i fortë.

Ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Por, ua kam bërë të qartë lojtarëve, se nëse ndaj Tomorit gabuan fatalisht, në takimet jashtë një gol vlen sa për 2 në fushën tënde moralisht.

Pres që ekipi të japë maksimumin dhe sulmuesit të tregohen pragmatistë dhe altruistë para portës kundërshtare.

Sa për rezultatin, të dyja ekipet kanë objektiva të njëjtë dhe le t’ia lëmë fushës verdiktin real”, u shpreh për “Panorama Sport” trajneri Gugash Magani, i cili pret reagimin e kavajasve në transfertën e Lezhës.

Optimizmi nuk mungon te Besa përpara kësaj sfide, ku zhbllokimi i sulmit shpresohet që të shkojë në sinkron me ruajtjen e lojës që bënë në start me Tomorin.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"