Lojtarët mendojnë largimin, Suad Lici mban peng Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 19:54

Lojtarët mendojnë largimin, Suad Lici mban peng Vllazninë

Vllaznia vazhdon të jetë në… “gjumë”. Pasi kaluan disa javë nga fakti që skuadra ra nga Superiorja dhe zhurmës së krijuar gjatë ditëve të para, gjithçka tashmë ka rënë në qetësi. Në Shkodër e kanë marrë lehtë dhe kur jemi në mesin e korrikut, Vllaznia nuk ka drejtues, trajnerë dhe as lojtarë. Situata nuk është aspak pozitive, ndërsa po mbyllet edhe kjo javë, gjatë së cilës besohej shumë se do të vendosej zyrtarisht në lidhje me administratorin e dhe trajnerin e ri.

suad lici

NGËRÇI – Përpara disa ditësh, bordi i klubit i propozoi ish-lojtarit Suad Lici pozicionin e administratorit, vend që është lënë vakant pas dorëheqjes së Astrit Gjyrezit. Lici kërkoi kohë për të kthyer një përgjigje përfundimtare, ndërsa në prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, disa ditë më parë, deklaronte se ishte i gatshëm që të ndihmonte Vllazninë, edhe pse kishte shumë angazhime për sa i përket biznesit personal.

Vllaznia

Por, duket se Lici po vonon shumë për të kthyer një përgjigje përfundimtare. Vetëm pasi të zyrtarizohet administratori i ri në krye të klubit, do të nisë puna me emërimin e trajnerit dhe ky i fundit së bashku me stafin e tij do të ndërtojnë grupin e lojtarëve. Në këtë mënyrë, te Vllaznia janë në pritje për të emëruar administratorin e ri, që më pas të nisë puna për të ndërtuar skuadrën.

LOJTARËT – Situata kaotike që po kalon klubi po pasqyrohet edhe te lojtarët, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar. Por, edhe pjesa tjetër që kanë ende një kontratë me këtë klub, nuk kanë asgjë të qartë mbi situatën e tyre. Ata nuk e kanë të qartë nëse do të vijojnë që të jenë sërish pjesë e këtij ekipi, pavarësisht se kanë kontrata me të. Mësohet se janë në pritje të asaj që do të bëhet dhe pastaj do të shikojnë mbi të ardhmen e tyre.

kraja vllaznia

Kontratat mund të kenë një rishikim dhe kjo mund të sjellë pakënaqësinë e tyre për të qenë sërish pjesë e ekipit. Por, nga ana tjetër, mund të jetë stafi i ri, i cili mund të mos dëshirojë ndonjërin prej këtyre lojtarëve. Kjo mund të sjellë edhe shumë probleme, si për stafin, po ashtu edhe për lojtarët, të cilët momentalisht janë në pritje të zhvillimeve. Nga ana tjetër, disa prej lojtarëve që janë aktivizuar edhe si titullarë, kanë oferta nga klube brenda dhe jashtë Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"