Liverpuli sprint për Mbapenë, por Reali ka Zidanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 22:42

Liverpuli sprint për Mbapenë, por Reali ka Zidanin

E ardhmja e Kilië Mbapesë është në ajër dhe konsiderohet si një nga të panjohurat e mëdha për PSG-në dhe për futbollin francez në këto momente. Sulmuesi kampion bote nuk i është përgjigjur pozitivisht ofertës që i ka bërë klubi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar për të rinovuar kontratën, e cila i përfundon në vitin 2022. Nga ana tjetër thuhet se lojtari i ka bërë me dije PSG-së se dëshiron të largohet në fundin e këtij sezoni.

MBAPER

Gazeta franceze “L’Equipe” informoi se në listën e skuadrave që duan shërbimet e tij është futur me forcë Liverpuli. Kampionët e Anglisë duan patjetër që të fitojnë garën me të tjerët dhe për këtë arsye kanë lëvizur më shpejt sesa të tjerët. Sulmuesi i PSG-së e vlerëson shumë Klopin si trajner, por përpara se të zgjedhë ekipin e tij të ardhshëm kërkon që të kuptojë qëllimet që ka Reali i Madridit. Prezenca e Zinedin Zidanit në krye të klubit spanjoll është një armë e fortë për “Galaktikët”. Zizu ka njohje personale me francezin dhe gjatë kësaj kohe kanë pasur kontakte.

mbape

Për Mbapenë, të luajë për idhullin e fëmijërisë është një arritje e madhe dhe ky është një fakt pro Realit. Megjithatë, Liverpuli është duke punuar në heshtje dhe me të gjitha mënyrat për të bërë ofertë më të mirë ekonomike për PSG-në dhe për vetë futbollistin.

Të papriturat- Por futbolli është futur në një fazë të paparashikueshme dhe të çuditshme ku kriza ekonomike mund të jetë vendimtare për merkaton.  Pavarësisht kërkesave dhe ekipeve të shumta të interesuara për francezin nuk përjashtohet mundësia që ai të rinovojë në momentet e fundit me PSG-në.

Familja e shtyn që ai të marrë një vendim të tillë sepse është ambientuar mirë dhe ka miqtë në Paris. Por Mbape e di se për t’u rritur në aspektin sportiv dhe për të fituar Champions dhe “Top të Artë” duhet të zgjedhë një ekip tjetër jashtë Francës. Liverpuli dhe Reali për momentin po sfidojnë njëri-tjetrin dhe secili po përdor armët e duhura për të bindur lojtarin.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"