LIGA UNIKE FEMRA/ 13 fitore radhazi në derbi, Partizani makth për Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2021 | 15:51

LIGA UNIKE FEMRA/ 13 fitore radhazi në derbi, Partizani makth për Tiranën

Liga Unike e basketbollit të femrave ka hapur dje sfidat e javës së pestë. Partizanit i është dashur të ketë përballë “prenë” e preferuar të këtyre viteve të fundit, për të marrë suksesin e parë në eventin mbarëkombëtar.

liga unike

Të kuqet e Ledina Koçit i shkatërruan vajzat bardheblu me rezultatin e thellë 91-66 (21-11, 18-18, 22-25, 30- 12). Një ndeshje e dominuar nga Partizani në çdo aspekt, që në takim kishte në dispozicion edhe kapitenen Ornela Lalaj, e rikthyer pas dëmtimit. Vendimtare për fatet e takimit ishin perioda e parë dhe e fundit, të cilat Partizani i fitoi respektivisht me 10 dhe 18 pikë diferencë.

PARTIZANI

Duke kaluar te paraqitjet individuale, pa diskutim lojtarja më e mirë e ndeshjes ishte Aida Palko, e cila bëri një paraqitje të jashtëzakonshme duke regjistruar 40 pikë, 22 kërcime dhe 7 asistime.

Te Tirana më rezultativja ishte Enisa Qosja me 28 pikë. Për t’u theksuar është fakti që kemi të bëjmë me fitoren e 13 radhazi në derbi për Partizanin, duke përfshirë këtu takimet në Kampionat, Kupë, Kupën e FSHB-së dhe tashmë në Ligën Unike.

Megjithatë, përtej dominimit absolut të Partizanit, paradoksi është se në Kombëtare pjesa dërrmuese e lojtareve grumbullohen nga ekipi i Tiranës, që vazhdon të koleksionojë disfata të njëpasnjëshme në derbi.

RENDITJA

A.DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"