LIGA E EUROPËS/ De Rosi anulon festimet e derbit, Roma në “San Siro” për rezultat pozitiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 14:25

LIGA E EUROPËS/ De Rosi anulon festimet e derbit, Roma në “San Siro” për rezultat pozitiv

Me të kaluar “dehja” e derbit, ka ardhur menjëherë koha që Roma të riorganizojë idetë dhe të përqendrojë vëmendjen te një kundërshtar tjetër.

milan roma

Thumbimet e Mançinit dhe polemikat e orëve të fundit duhen lënë pas shpine pasi verdhekuqtë i pret një tjetër derbi. Ai europian kundër Milanit. Dhe Daniele de Rosi tashmë është i emocionuar dhe i fokusuar për çerekfinalen e parë të Ligës së Europës kundër kuqezinjve. Fjala e trajnerit drejtuar skuadrës menjëherë pas fitores ndaj Lacios, për më tepër, nuk lë asnjë dyshim për dëshirën e trajnerit për të vazhduar të mahnitë edhe jashtë Serisë A.

FJALIM NË STËRVITJE – “Vëmendja juaj duhet të shkojë tek ndeshja me Milanin sepse në “San Siro” mund të arrijmë një rezultat i cili do të na mundësonte kalimin e turit. Dua maksimumin nga ju të gjithë në kuadër të ndeshjes me Milanin. Derbin e fituam, por duhet ta hedhim pas krahëve sepse nuk kemi kohë për ta shijuar”, mësohet të ketë qenë fjalimi i De Rosit mëngjesin e djeshëm në qendrën stërvitore.

Lajmin e ka raportuar “Corriere dello Sport” që thekson se teknikut i kanë mjaftuar pak fjalë për të pasur vëmendjen e grupit. Disa fjalë për të rikthyer menjëherë fokusin dhe për të vendosur një objektiv të ri. Ndeshjet me radhë dhe asnjë plan afatgjatë. Të gjithë me ide shumë të qarta nga pikëpamja tekniko-taktike dhe karakteristike dhe me dëshirën për të marrë një konfirmim të merituar me rezultate. Sigurisht që Milani i kësaj periudhe nuk do të jetë një pengesë e lehtë për t’u kapërcyer. Por De Rosi beson, ai ka ekipin në dorë dhe mjedisin të gjithë në anën e tij. Një përzierje shkatërruese që mund të lartësojë Romën dhe të prishë planet e Piolit për Evropën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"