“Jetoja në një hotel fantastik në Napoli, vendosa të flija në zyrë”, Spaleti tregon largimin: Përballesh me të paktën 4-5 De Laurentis të ndryshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 18:17

“Jetoja në një hotel fantastik në Napoli, vendosa të flija në zyrë”, Spaleti tregon largimin: Përballesh me të paktën 4-5 De Laurentis të ndryshëm

Trajneri i Italisë, Luçiano Spaleti, i është kthyer në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, aventurës së tij te Napoli dhe të gjithë problemeve me të cilat ishte përballur atje gjatë periudhës që drejtonte skuadrën që e shpalli kampione të Italisë.

spaleti de laurentis

“Unë zgjodha dhe përqafova trishtimin duke u larguar nga Napoli pas titullit. Do të ishte më e thjeshtë dhe natyrale që të vazhdonim, të punonim me një grup që kishim çuar deri në majë, të gëzonim lumturinë e momentit, atë që bëmë të provonin njerëzit në Napoli. Unë zgjodha trishtimin.

Unë nuk di të drejtoj me cinizëm. Të trajnosh për mua do të thotë që ta duash një lojtar, të dish ta mbrosh, t’i shtosh diçka. Ekziston edhe futbollisti i ndrojtur që nuk arrin të shprehë plotësisht potencialin e vet dhe atëherë ndërhyj unë me punën. Te Napoli kisha disa prej tyre, Me anë të ushtrimeve, mundohem që të çoj lojtarin e ndrojtur në kushtet ideale për të rritur nivelin e rendimentit. Unë nuk arrij të bëj asgjë në mënyrë sipërfaqësore. Në vitin e parë te Napoli jetoja në një hotel fantastik, më sillnin mëngjesin në dhomë. Por pastaj vendosa një shtrat në zyrë. Në mënyrë që të mos humbisja asnjë sekondë të vetme, edhe detajin më të vogël, kurseja gjysmë ore me makinë nga Napoli në “Castel Volturno”.

Unë kam vendosur gjithmonë për veten, Kjo detyrë të kërkon 365 ditë punë të madhe. Pas vitit tim të parë, bashkëpunëtorët më thanë “po çfarë po qëndrojmë këtu? I kanë shitur të gjithë”. Ishin larguar Mertens, Kulibali, Gulam, Ospina, Insinje, Fabian Ruiz. Shumë cilësi. Unë dëshiroja të ndjehesha trajneri i Napolit dhe je trajneri i një skuadre vetëm ku bën diçka të rëndësishme. Kur takon De Laurentis, gjëja e parë që të thotë është “të dytët kemi dalë edhe më parë dhe duhet të jemi gjithmonë në Champions”. Mesazh i qartë dhe direkt. Ndaj u rinisa për të arritur atë gjë, ndodhi, do të mund të qëndroja përsëri. Grafikun e paraqitjeve e kishim çuar në nivelin më të lartë.

Takimet me De Laurentis? Unë kam dy veshë dhe një gojë. Unë di të dëgjoj dhe të flas në momentin e përshtatshëm. De Laurentis ka një komunikim të mirë, një shprehi të rrjedhshme. Pastaj varet nga cilin De Laurentis ke përballë, ekzistojnë të paktën katër apo pesë. Me inteligjencën artificiale mund të provojnë të shpikin të tjerë”, tha Spaleti ndër të tjera në intervistën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"