Trajneri Klevis Hima: Burreli meritonte më tepër, për të ardhmen vendosin drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 16:35

Trajneri Klevis Hima: Burreli meritonte më tepër, për të ardhmen vendosin drejtuesit

“Jam i lumtur dhe ndihem i vlerësuar që drejtuesit e klubit më besuan skuadrën deri në përfundim të kampionatit. Arritëm që në përfundim të sezonit, t’i shpëtonim jo vetëm rënies direkt, por dhe ndeshjeve shtesë”. Kështu shprehet për “Panorama Sport”, trajneri laçian i Burrelit, Klevis Hima, që drejtoi skuadrën matjane nga mesi i nëntorit të vitit të kaluar deri në përfundim të kampionatit.

burreli fest

Hima e mori skuadrën në momente të vështira. Në dhjetë ndeshje, skuadra endej në vendet e fundit në renditje me dhjetë pikë. Nëse i referohemi statistikave, në dy fazat e fundit, Burreli ka pasur rritje në të gjithë treguesit e tij. Në fazën e dytë, skuadra arriti të grumbullonte 12 pikë dhe në fazën e tretë 18 pikë, duke i bërë kampionatit një mbyllje mjaft pozitive. “Fillimi ishte i vështirë. Në momentin që e mora skuadrën, në dhjetë ndeshje kishte grumbulluar po kaq pikë dhe pozicionohej në vendet e fundit në renditje. Besimi te vetja dhe vlerësimi i çdo ndeshje si finale, ishte motoja që na shoqëroi deri në përfundim të sezonit.

Dhe pse gjatë rrugës patëm ndonjë luhatje, skuadra i bëri një mbyllje mjaft pozitive kampionatit. Me pak kujdes duhet të ishim më lart në renditje. Një tregues pozitiv ishin dhe marrëdhëniet e krijuara, jo vetëm me futbollistët, por dhe me drejtuesit e klubit, të cilët forcuan edhe më tej harmoninë në skuadër”, thotë mes të tjerash numri një i pankinës matjane. Sipas trajnerit, ndeshjet më të bukura të edicionit që lamë pas mbeten fitoret me skuadrat pretendente, që sipas tij jo vetëm që shtuan besimin, por treguan se skuadra ka potenciale reale për të kaluar çdo kundërshtar.

Në fund të prononcimit të tij, trajneri Hima ndalet dhe tek e ardhmja e tij. “Pas një edicioni me ngarkesa, koha për një pushim është shumë e domosdoshme. Në ditët në vazhdim do të ulem me drejtuesit e klubit për të vendosur për të ardhmen e drejtimit të skuadrës”, e mbylli Klevis Hima. Në përfundim të kampionatit, skuadra e Burrelit u pozicionua e teta në renditje me 40 pikë me pikë, po aq sa Kastrioti i Krujës, që u rëndit i shtati në klasifikimin përfundimtar.

NDERIM  GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"