Muharrem Dosti: Nevil Dede i duhuri për Elbasanin, por të shohin nga akademia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 18:22

Muharrem Dosti: Nevil Dede i duhuri për Elbasanin, por të shohin nga akademia

Sezonin e ri Elbasani do të jetë pjesë e elitës, aty ku kërkohet më shumë impenjim dhe punë për të arritur rezultatet. Drejtuesit synojnë që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm si tri vitet e para të krijimit, ku në çdo kategori u shpallën kampionë, ndonëse e kanë të qartë se në Superiore është një tjetër histori.

MUHARREM DOSTI

Megjithatë, i sigurt duket fakti se verdheblutë do të hyjnë me ambicie këtë sezon, ku së paku synimi parësor është “Final 4” dhe për këtë arsye kanë nisur nga puna. Fillimisht kanë zyrtarizuar Nevil Deden në pankinë dhe më pas kanë piketuar emrat e parë në merkato që mund t’i bashkohen elbasanasve.

DOSTI – Për situatën dhe pritshmëritë e skuadrës së Elbasanit në elitë flet për “Panorama Sport”, ish – portieri dhe trajneri i kësaj skuadre, Muharrem Dosti. Fillimisht ai përgëzon skuadrën për besimin e dhënë Dedes dhe më pas ndalet tek merkato. “Puna e parë nis nga trajneri dhe më pas shihet për ndërhyrjet që bëhen në merkato. Fillimisht, më vjen mirë që në stol do të vijojë Dede, sepse arriti objektivat me skuadrën dhe askush më mirë sesa ai nuk e di gjendjen e saj dhe ku ka nevojë për ndërhyrje. Sa i përket merkatos, normalisht që duhen afrime, ku mendoj se do të ishte mirë të kishte një ndërthurje të eksperiencës me lojtarët e rinj që premtojnë për të ardhmen. Madje, do t’u sugjeroja që të mos lënë mënjanë akademinë, sepse tani janë në kohën kur duhet të mendojnë përtej një sezoni”, u shpreh fillimisht Muharrem Dosti.

OBJEKTIVI – Në lidhje me objektivin, Dosti pohon se një skuadër me financa të shëndosha dhe me drejtues që kanë ambicie, duhet të reflektohet edhe në ekipin që do të ndërtohet në elitë. “Superiorja nuk është e lehtë, për më tepër për një skuadër që vjen nga një kategori më poshtë dhe që normalisht do të duhet të bëjë disa ndryshime. Mirëpo, me këtë që ka treguar ky klub nga viti në vit, shpresoj të mos e ndalë vrullin me të cilin e ka nisur. Ndoshta për kampion është herët të flasim që në vitin e parë, por di që nuk i mungon ambicia për të qenë të paktën në katër vendet e para dhe kam përshtypjen se do t’ia dalin”, u shpreh më tej Muharrem Dosti.

ATMOSFERA – Ajo që e ka kënaqur më së shumti Dostin gjatë vitit që lamë pas është atmosfera e krijuar dhe që gjasat janë të vijojë edhe në elitë. “Kryesorja për qytetin është që u rikthye ai entuziazmi i munguar, me tifozët që mbushën stadiumin. Kur në Kategorinë e Parë ishte ajo atmosferë që e kemi përjetuar të gjithë, në Superiore mendoj se do të jetë edhe më e madhe. Futbolli shqiptar ka nevojë që të mbushë stadiumet dhe rikthejë tifozët. Elbasani e ka bërë këtë gjë dhe besoj se do ta përforcojë edhe në elitë këtë traditë pozitive”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish – trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"