Liderët e munguar nga elita, vetëm Denison e Mija “faktor”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 15:35

Liderët e munguar nga elita, vetëm Denison e Mija “faktor”

Dinamoja e këtij sezoni u ndërtua duke u bazuar tek eksperienca e lojtarëve të sezonit të kaluar, një mori të rinjsh, shto edhe blerjet në merkato. Në grupin e atyre që qëndruan për të udhëhequr blutë drejt kthimit në elitë, bëjnë pjesë emra si Edvan Bakaj, Eni Imami, Sabien Lilaj, Patrik Bardhi, Indrit Prodani, Denison dhe Rexhinaldo.

kzxcnx

E megjithatë, për arsye të ndryshme shumica nuk e bënë dot rolin e liderit. Për kryeqytetasit ishte luks qëndrimi i portierit Simon Simoni, i cili pritej të shitej jashtë vendit që në verë, por transferimi i tij u finalizua vetëm ditë më parë. Për këtë arsye Bakaj ka luajtur vetëm dy ndeshje deri tani dhe është i justifikuar. “Faktor” në ecurinë e deritanishme të kryeqytetasve janë bërë kryesisht lojtarët e ardhur në merkato, por edhe Denison e Mija nga sezoni i shkuar, pa harruar të riu Preloshi. Të ashtuquajturit “senatorë” mbeten prapa në kontribut. Rexhinaldo madje e ka mbyllur bashkëpunimin, pasi për asnjë moment nuk mundi të lërë shenjë. Kjo situatë nuk është se ka ardhur për mungesë dëshire, por për pamundësi fizike. Bardhi dhe Prodani patën dëmtime para se të niste sezoni, më pas ndodhi e njëjta gjë edhe me Imamin dhe Lilajn, të cilët i kanë munguar skuadrës në pjesën më të madhe të ndeshjeve. I rikthyer 100% është vetëm Prodani, që ka zënë vend në 11-she dhe ka shënuar 2 gola, të tjerët vazhdimisht kanë pasur probleme fizike. Dëmtim të gjatë ka pasur ndërkohë edhe Ymeri, një nga prurjet e verës.

DENISON-MIJA – Formacioni i Dinamos ka ndryshuar nga java në javë në fakt. Pjesë e rëndësishme e tij kanë qenë gjithmonë lojtarët e ardhur në verë: Dikson, Allmuça dhe Fetaj në mbrojtje, Daja dhe Danaj në mesfushë, si dhe Marku në sulm. Nga grupi i sezonit të kaluar vetëm Denison dhe Mija kanë bërë më mirë. I pari titullar fiks dhe autor i 7 golave, ndërsa i dyti zuri vend në mbrojtje pasi e nisi sezonin nga stoli. Braziliani tjetër Diogo nuk ka dhënë atë që pritej dhe trajneri e ka aktivizuar më së shumti nga stoli. Sinjale pozitive kanë dhënë të rinjtë Preloshi, me lojë dhe 2 gola të shënuar, dhe Vokrri. Blutë janë ende në pritje të shkëlqimit të lojtarëve të sezonit të kaluar.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"