Lëvizje te Elbasani, afrime dhe financa për kthimin në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 12:14

Lëvizje te Elbasani, afrime dhe financa për kthimin në të Parën

Elbasani shpreson që ta mbyllë fazën e parë në krye të klasifikimit, edhe pse pas barazimit me Devollin në shtëpi ndodhet dy pikë pas kryesuesve të Orikumit. Deri në përfundim të kësaj faze dhe marrjes së pushimeve, elbasanasit kanë për të luajtur edhe tre takime, ku i bie që në lojë janë edhe 9 pikë. Mësohet se ky është objektivi fillestar i elbasanasve për të shpresuar më pas në fazën e dytë dhe me merkaton e janarit që të bëjnë ndërhyrje për t’i mundësuar ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Elbasani

Për sa i përket tri sfidave të mbetura, këtë javë verdheblutë shkojnë në Tepelenë, një fushë e vështirë, por përballë një skuadre që nuk ka pretendime madhore. Më pas, verdheblutë presin në shtëpi Memaliajin, një kundërshtar i kalueshëm duke marrë parasysh objektivat dhe ku luhet.

Përballja më e vështirë duket ajo e javës së fundit me Maliqin në transfertë, por edhe në këtë rast nuk mungojnë shanset për të fituar. Me 9 pikë të mundshme, Elbasani mund të pretendojë te vendi i parë duke shpresuar që Orikumi të bëjë një ndalesë të vetme në këto ndeshjet e mbetura deri në përfundim të fazës së parë.

MERKATO

Pas hapjes së “dritës jeshile” nga pronarët e rinj të klubit, ku edhe kanë dhënë nga një rrogë për lojtarët, mësohet se në janar mund të hapet edhe “thesi” për të bërë merkato. Sipas të gjitha gjasave, sido që të shkojnë të tria sfidat që kanë mbetur, verdheblutë pritet të jenë në zonën e ekipeve që pretendojnë ngjitjen dhe kjo pritet që t’i motivojë pronarët e rinj të klubit të bëjnë ndërhyrjet e munguara në merkato.

Duke njohur rregulloren e Kategorisë së Dytë, që nuk lejohen lojtarë jashtë Qarkut, zvogëlohet rrezja e emrave që mund të afrohen në skuadër, pasi do të shihen vetëm futbollistë që plotësojnë kriteret për të milituar me verdheblutë. Dy janë mundësitë për afrime: ose në formë huazimi, pasi nuk po gjejnë hapësira në ekipet e tjera, ose të vijnë përfundimisht në Elbasan duke parë që edhe situata financiare po vjen drejt rregullimit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"