“Lëreni Levën të shkojë”, ish-trajneri legjendar i Bajernit i del në mbrojtje polakut: S’ka kuptim të mbahet me zor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2022 | 12:15

“Lëreni Levën të shkojë”, ish-trajneri legjendar i Bajernit i del në mbrojtje polakut: S’ka kuptim të mbahet me zor

Otmar Hicfeld sot është 73 vjeç. Trajneri i Bajernit nga 1998-2004 dhe më pas në 2007-’08, fitoi Champions-in në 2001 bashkë me Hasan Salihamixhiçin në skuadër. U bënë 5 vite që boshnjaku është në zyrën e drejtorit sportiv të Bajernit, për të cilin Hicfeld ka vlerësim maksimal, ndërsa e quan një goditje të shkëlqyer transferimin e Sadio Manesë nga Liverpuli. Por gjatë një interviste për gazetën bavareze, “Abendzeitung”, “Gjenerali” komenton edhe situatën e Robert Levandovskit, për të cilin mendon se duhet lënë të vendosë vetë për të ardhmen.

hicfeld

Ish-lojtari juaj, Hasan Salihamixhiç, feston 5 vite në zyrën e drejtorit sportiv. A është transferimi i Manesë goditja më e madhe e tij në merkato?

Po, absolutisht. Mendoj se Mane është një transferim i madh për Hasanin dhe Bajernin sa u përket cilësive të tij dhe statusit të një lojtari të klasit botëror, i cili ka fituar shumë. Mane është i njohur në të gjithë botën. Transferimi i tij është shumë i çmuar për imazhin e jashtëm të Bajernit.

Dhe po aq i rëndësishëm sa edhe për imazhin e gjithë Bundesligës?

Pa dyshim. Mane është një aset për Bundesligën. Tani ata duhet të shohin se çfarë do të ndodhë me Levandovskin. Po zhvillohet një lojë pokeri në këtë moment.

A mund ta përfshijë sërish në skuadër trajneri Nagelsman Levandovskin pasi ai tha se dëshiron të largohet nga Bajerni me çdo kusht?

Kjo do të funksiononte nëse Leva do të vijonte të shënonte sërish gola. Kohët e fundit të gjithë lojtarët duan të jenë të suksesshëm. Por i gjithë ambienti i Bajernit është hutuar prej veprimeve të Levës.

Si ia keni bërë gjatë karrierës suaj kur një lojtar ka dashur të largohet me çdo çmim?

Pikëpamja ime ka qenë dhe është: nëse një futbollist dëshiron të largohet, atëherë ai duhet të shkojë. Sepse pastaj nuk ka më kuptim.

Duke iu kthyer Salihamixhiçit, a është marrëveshja për Manenë një çlirim për të pas disa transferimeve që nuk kanë sjellë suksesin e dëshiruar këto vitet e fundit?

Hasani mund të ketë transferuar ndonjë lojtar të madh edhe më herët, por bërthama e skuadrës ka qenë e ndërtuar gjatë viteve të fundit. Ishte e vështirë për të ndryshuar diçka dhe transferuar një yll. Nëse Levandovski do të qëndronte, nuk do të ishte e vështirë për stafin teknik që të gjente një pozicion edhe për Manenë gjithashtu. Bajerni është shumë mirë i kompletuar në sulm. Në përgjithësi, sigurisht që është një transferim i shkëlqyer, një emër i madh.

Si e keni parë zhvillimin e Salihamixhiçit gjatë këtyre 5 viteve si drejtues i Bajernit?

Kam pasur gjithnjë ndjesi pozitive sepse Hasani është një lojtar skuadre. Ai ka qenë një rol model si futbollist. Ishte gjithnjë pozitiv. Mendoj se ka pasur një zhvillim shumë pozitiv edhe në rolin e drejtuesit.

A flisni me të personalisht herë pas here për të shkëmbyer ide?

Kemi pak kohë që nuk kemi pasur kontakt, por kur fitoi titullin unë i shkrova dhe e urova. Sigurisht që ai është tepër i zënë me punën e tij. Pa dyshim që kur unë të jem në Mynih ne do të takohemi.

Kontrata e tij skadon në vitin 2023, a duhet Bajerni të rinovojë?

Këtë duhet ta vendosë vetë Bajerni. Unë e shoh klubin me Salihamixhiçin, Kahnin dhe presidentin, Herbert Hainer, në një pozicion shumë të mirë për të ardhmen. Jam i bindur se ata do të punojnë së bashku për një kohë të gjatë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"